Rama-Merkel: Shqipëri-Gjermani, potencial të madh bashkëpunimi ekonomik

16:29 | 8 Korrik 2015
M. A.

Shqipëria dhe Gjermania kanë potenciale të mëdha për të zhvilluar bashkëpunimin ekonomik dhe për ta ngritur atë në një nivel tjetër. Ka qenë ky mesazhi i kancelares gjermane Angela Merkel dhe kryeministrit Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp të mbajtur në selinë e Kryeministrisë, në Tiranë.

Në fjalën e tij, Rama ka falenderuar kancelaren Merkel për “dorështrëngimin e Shqipërisë dhe Gjermanisë”, që nënkupton, sipas tij, vëmendjen e Berlinit ndaj rajonit për çështje shumë të gjera.

“Kjo vizitë është një fakt kuptimplotë i bashkëpunimit dhe vullnetit për të forcuar partneritetin mes nesh. Zonja kancelare, ju falenderoj për mbështetjen tuaj për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe integrimin e saj”, ka thënë Rama.

Ai ka vlerësuar se, “konferenca e Berlinit përshpejtoi një proces bashkëpunimi në një rajon që ka qenë peng i së shkuarës” dhe një vit prej andej është arritur një progres i pamenduar më parë, që kulmoi me vizitat e kryeministrave në Beograd dhe Tiranë.

“Ne jemi të vendosur të ecim përpara me fqinjin tonë serb, duke përforcuar marrëdhëniet me të”, ka thënë Rama, i cili sa i takon integrimit të rajonit në BE ka thënë:

“Ballkani ka nevojë për Evropën po aq sa Evropa ka nevojë për Ballkanin. Ne synojnë të gjithë aderimin në BE, por edhe Evropa duhet të bëjë pjesën e saj, duke mos e trajtuar integrimin tonë si një biznes”.

Shqiptarët, ka nënvizuar Rama, nuk kanë të drejtë azili në BE, por kjo çështje, sipas tij, “duhet parë jo vetëm si çështje sigurie, por si një problem social që lehtësohet përmes mbështetjes ekonomike të BE ndaj vendit tonë”.

“Ne nuk kërkojmë lehtësime apo shkurtime të kushteve nga Brukseli dhe ato që po bëjmë për integrimin po i bëjmë jo sepse na i kërkon Brukseli, por sepse i kërkon vetë shoqëria shqiptare”, ka përfunduar Rama.

Nga ana e saj, kancelarja Merka ka shprehur “kënaqësinë e madhe” të saj që mbajti premtimin për të ardhur në Tiranë. Ajo ka theksuar se, kjo vizitë duhet të shërbejë si shtysë për të forcuar partneritetin ekonomik mes dy vendeve.

“Shqipëria ka bërë një progres mjaft të madh. Kemi mundesi më të mëdha për të arritur nivele të tjera në bashkëpunimin ekonomik. Bashkëpunimi ekonomik është një aspekt që shënon një pikë të rëndësishme në rrugën tuaj drejt BE-së”, ka thënë Merkel.

Përmes bashkëpunimit, ka nënvizuar kancelarja, Shqipëria ka mundësinë të përfitojë nga ekspertizat më të mira për reformën në drejtësi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Shqipëria nuk është një vend prej të cilit azilkërkuesit do të njihen si azilantë, por bën pjesë tek ato vende që mund të ofrojnë fuqi punëtore të kualifikuar”, ka thënë mes të tjerash Merkel.

Një tjetër pikë ku është fokusuar ajo ka qenë edhe bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit, aspekt në të cilin sipas saj është bërë progres me vizitën e kryeministrit Vuçiç në Tiranë dhe atë të kryeministrit Rama në Beograd.

/ Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale