Maqedoni, akuza të ndërsjella për dështimin e bisedimeve

21:13 | 11 Qershor 2015
M. A.

Dy partitë kryesore maqedonase shkëmbyen akuza pas dështimit të bisedimeve mbrëmë në Bruksel, për zgjidhjen e krizës në Maqedoni. Opozita thotë se nuk ka logjikë që një qeveri e përkohshme të drejtohet sërish nga kryeministri aktual Nikolla Gruevski, të cilin e akuzon për krizën politike në vend.

Ndërsa, Gruevski shprehet se Zoran Zaev i opozitës nuk kishte shkuar në Bruksel për të arritur marrëveshje. Komisioni Evropian u bën thirrje drejtuesve politikë të vendit që të angazhohen për gjetjen e një kompromisi politik.

Drejtuesit politikë maqedonas të përfshirë në bisedimet për zgjidhjen e krizës në vend akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e takimit të së mërkurës në Bruksel. Takimi që zgjati për dymbëdhjetë orë rezultoi në dështim, pasi kryeministri Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev i Lidhjes Social Demokrate të opozitës, nuk hoqën dorë nga qëndrimet e tyre lidhur me një qeveri të përkohshme, mbi afatet e formimit të saj dhe personin që do ta drejtonte deri në zgjedhjet e parakohshme të prillit që vjen.

Zoti Gruevski tha pas takimit se Zoran Zaev ishte ai që nuk dëshironte zgjidhje, se kishte ardhur në Bruksel që të mos arrihej një marrëveshje.

Kryeministri maqedonas tha se Zoran Zaev nuk dëshiron të përballet me zgjedhje sepse, sipas tij, ai frikësohet me që e ka të qartë se do të pësojë disfatë të madhe, që do të ishte e pashembullt në historinë e partisë së tij. Nikolla Gruevski vazhdoi duke akuzuar rivalin e tij politik se të gjitha veprimet e Zaevit janë bërë me qëllim që të mos ketë marrëveshje, transmeton voa.

Ndërkohë, opozita maqedonase thotë se Nikolla Gruevski në takim kishte ofruar gjithçka vetëm për ta ruajtur karrigen e tij në qeveri.

Opozita e vlerëson si të palogjikshme që krijuesi i krizës politike, siç i referohen kryeministrit Gruevski, të vazhdojë ta drejtojë qeverinë.

Ndërkohë, ndërmjetësi në bisedimet mes palëve, komisioneri Johanes Hahn pas takimit ka publikuar një shkrim në rrjetin social ku theksonte mungesën e përgjegjësisë tek një pjesë e drejtuesve politik të Maqedonisë.

Zëdhënësja e Komisionerit evropian, Maja Kocijançiç duke folur nga Brukseli, përsëriti thirrjen e Komisionit Evropian drejtuar të gjitha palëve të përfshira në bisedime që të gjejnë një kompromis të qëndrueshëm politik.

Shpërndaje në rrjete sociale