Komisioni Disiplinor konfirmon përjashtimin e Pejës

21:08 | 4 Qershor 2015
M. A.

Komisioni Disiplinor ka konfirmuar vendimin për KB Pejën që të përjashtohet nga Superliga e basketbollit të Kosovës.

Peja ishte ankuar në Komisionin Arbitrar për përjashtim nga Superliga ndërsa këtë çështje KA-ja e kishte kthyer te Komisioni Disiplinor që ka konfirmuar edhe një herë vendimin për përjashtimin e Pejës.

“Mbetet në fuqi Vendimi me Ref. Nr. 185 datë 21.5.2015 i Komisionit Disiplinor të Federatës të Basketbollit të Kosovë me të gjitha pikat e tij”, thuhej në njoftimin e FBK-së.

“KD pasi ka rishqyrtuar të gjitha faktet dhe provat e ofruara dhe deklaratat e të gjithë aktorëve relevantë të përfshirë në ndeshje, ka vendosur që të konfirmojë vendimin për diskualifikim të KB Pejës nga garat e mëtutjeshme të ETC Superligës dhe dërgim në një rang më të ulët të garave”, thuhej më tej.

KD po ashtu ka konfirmuar dënimin ndalim të ushtrimit të detyrës për një vit për zyrtarin e KB Peja Gazmend Pupovcit.
“Komisioni Disiplinor konsideron që akterët kompetent për organizmin e ndeshjes, për menaxhimin e situatës, vlerësimin e lojës, ndarjen e drejtësisë dhe kompetentët për ofrimin e sigurisë kanë ofruar fakte dhe dëshmi të mjaftueshme të cilat gjejnë fajtore KB Peja dhe demantojnë pretendimet se mosparaqitja e tyre ne loje lidhet me arsyetimet e tyre për mungesë te sigurisë”.

Shpërndaje në rrjete sociale