Qeveria gjermane ka refuzuar në disa raste miratimin për eksportet e armatimit në Turqi. Arsyeja: Armët mund të përdoren për represione të brendshme, si në konfliktin turk me kurdët.
Qeveria gjermane ka refuzuar në muajt e fundit disa herë aplikimet për eksporte armësh në Turqi, raporton “Süddeutsche Zeitung” duke u bazuar në një përgjigje të Ministrisë së Ekonomisë ndaj kërkesës së deputetit të partisë E Majta, Jan van Aken. Normalisht si vend anëtar i NATO-s, Turqia nuk i nënshtrohet kufizimeve të mëdha në eksportin e armëve, por që nga përpjekja për puç ushtarak në vend vitin e kaluar, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan vepron me dorë të fortë kundër të gjithë kundërshtarëve politikë.
Rëndësia e të drejtave të njeriut
Ndalimi nuk duhet kuptuar si reagim i drejtpërdrejt ndaj tensioneve aktuale gjermano-turke për tubimet elektorale të politikanëve turq në Gjermani. Vendimet e qeverisë gjermane janë më të vjetra, pas përpjekjes për puç, ku u vu re kufizimi i lirisë së shtypit, arrestime masive dhe largimi nga vendet e punës të shumë nëpunësve shtetërore, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë.
Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Ekonomisë, Matthias Machnig shkruan në përgjigjen për deputetin e Bundestagut, Jan van Aken, se “respektimi i të drejtave të njeriut ka një rëndësi të posaçme në vendimet për eksportin e armëve”, citon gazeta “Süddeutsche Zeitung.” Një nga shqetësimet është se armët e importuara nga Gjermania mund të përdoren për represione kundër kurdëve në konfliktin e brendshëm turk.
Nga viti 2010-2015 janë refuzuar vetëm 8 aplikime për eksporte armësh në Turqi. Por nga nëntori 2016 ka pasur 11 raste të refuzuara, një shtim i dukshëm i numrit. Megjithatë qeveria gjermane thekson, se nuk do të ketë një ndalim të përgjithshëm për eksportin e armëve drejt Turqisë./DW/
Angela Martini rrëfen ‘puthjen’ me Donald Trump dhe divorcin...
Libohova tërheq turistë edhe në dimër, vizitorët kërkojnë të...
Sulm fizik gjatë një ahengu në Leposaviq, viktima dërgohet p...
24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit
Burri raporton në polici se gruaja e tij është larguar nga s...
Të fjeturit më pak se gjashtë orë gjumë, rrit rrezikun e dem...