Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u paraqit në Gjykatën Administrative këtë të premte (8 maj), ku gjatë seancës ka mbajtur edhe fjalën e tij lidhur me procesin.
Në fjalën e tij para gjykatës, Veliaj e përshkroi situatën që po përjeton si një realitet “të paimagjinueshëm në një republikë demokratike”, ndërsa tha se prej më shumë se dy vitesh është përballur me një “sulm frontal politik, mediatik dhe juridik”.
“Kam më shumë se pesëmbëdhjetë muaj që jetoj në një realitet që, deri pak kohë më parë, do ta konsideroja të paimagjinueshëm në një republikë demokratike”, deklaroi Veliaj.
Veliaj deklaroi se ai dhe familja e tij janë përballur me një “veting të plotë” të jetës personale dhe publike. Ai tha se është treguar i gatshëm të përballet me drejtësinë dhe se ka shkuar vetë përpara saj, por pretendoi se ndaj tij janë përdorur të gjitha mjetet për ta sjellë në këtë situatë.
Sipas tij, problemi qëndron në mungesën e aksesit të plotë në dosje dhe në pamundësinë për të pasur një mbrojtje efektive. Veliaj shtoi gjithashtu se pala tjetër kërkon që gjykata të mos hyjë në shqyrtimin e thelluar të çështjes, duke e konsideruar këtë një pengesë për një proces të drejtë.
“Është kontrolluar çdo aspekt i jetës sime. Mbi mua dhe familjen time është ushtruar një formë vetingu. Por unë jam treguar shumë i gatshëm për tu përballur me drejtësinë madje kam shkuar me këmbët e mia. U përdorë çdo mjet për të më çuar para drejtësisë. Paradoksi është se i njëjti mekanizëm nuk me do në një përballje me të drejta të barabarta me drejtësinë se më kufizohet aksesi në dosje dhe një mbrojtje efektive. Mungesa e legjitimitetit në një emërim jep pasojat që ka dhënë mbi mua. Nuk më lejohet të ushtroj asnjë nga të drejtat që më ka dhënë Kushtetuta si kafazi, fashikujt etj. Pala përball kërkon që gjykata të mos hy fare në hetimin e kësaj çështje”, tha Veliaj.
Veliaj theksoi se, pavarësisht hetimeve dhe masave ndaj tij, ai ka bashkëpunuar me drejtësinë në çdo moment.
“Kam bashkëpunuar me drejtësinë në çdo moment. Nuk kam pasur asnjë hezitim për t’u përballur me procesin dhe me të vërtetën”, tha Veliaj.
Në vijim të deklaratës, ai ngriti akuza për kufizim të të drejtave të mbrojtjes dhe mungesë të një procesi të barabartë ligjor.
“Mua nuk më lejohet të kem akses të plotë dhe real në dosje. Nuk më lejohet të dëgjoj të gjitha përgjimet e kryera ndaj meje. Nuk më lejohet komunikimi me avokatët e mi ndërkombëtarë”, deklaroi Veliaj.
Ai akuzoi gjithashtu palën kundërshtare dhe institucionet përkatëse se po përpiqen të shmangin shqyrtimin në themel të çështjes.
“Pala përballë nuk kërkon që gjykata të shqyrtojë pretendimin tim në themel. Kërkon që gjykata të mos hyjë fare në themelin e çështjes”, tha ai.
Në fund të fjalës së tij, Veliaj tha se çështja nuk lidhet vetëm me të personalisht, por me vetë funksionimin e shtetit të së drejtës.
“Në ditën kur qytetari humbet të drejtën për t’i kërkuar gjykatës kontrollin mbi autoritetin që i ka cenuar lirinë, atë ditë vihet në diskutim vetë ideja republikane se ligji qëndron mbi pushtetin. Dhe në momentin kur kjo ide rrëzohet, rrëzohet vetë Republika”, përfundoi ai./rtsh
Profesori Naim Telaku, pjesë e listës së PDK-së për deputetë
Ministri i Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar mbyll vizitën...
Kurti dhe Hetemi diskutojnë dokumentimin e krimeve të kryera...
Sveçla pritet nga homologu turk, kërkon avancim të bashkëpun...
“3 probleme më pak”, Guxo reagon pasi Avdyli, Statovci e Res...
Erion Veliaj në gjykatë: Po përballem me sulm politik dhe ju...