Parkingjet e uzurpuara në Podujevë

09:11 | 16 Dhjetor 2016
M. A.

Shfrytëzimi i trotuareve në vend të parkingjeve për rreth shkollave në komunën e Podujevës po e rrezikon jetën e nxënëseve. Ka një kohë të gjatë ku trotuaret dhe hapësirat publike për rreth shkollës fillore “Naim Frashëri” në qendër të qytetit, janë të rrethuara me shirita dhe shufra metalike, e që në fakt paraqesin një lloj shenje të uzurpimit.

Kështu thuhet në një rrjet të OJQ-ve lokale “Demokracia Fillon Këtu“, e cila ka shprehur shqetësimin për gjendjen e hapësirave publike në komunën e Podujevës.

Sipas kësaj organizate, qytetarët obligohen të paguajnë  shumën prej 0.50cent për parking, shumë kjo e cila nuk dihet se në xhepat e kujt përfundon, pasi që hapësira e rrethuar dhe e shfrytëzuar tash e sa kohë me dijeni apo pa dijeni të komunës nuk mbanë asnjë shenjë – tablo me mbishkrim identifikues.

“Kjo vështirëson dhe rrezikon në masë të madhe edhe ecjen e lirë të nxënësve të cilët vijojnë mësimin në shkollën fillore “Naim Frashëri”, pasi që në të dyja anët e trotuarit në degëzimin e rrugëve afër shkollës po ndodhë ky fenomen”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

foto-6_5836

Shpërndaje në rrjete sociale