Operacion policor në Tiranë, goditet grupi i trafikut të armëve

09:33 | 10 Qershor 2026
E H

Një operacion i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës ka çuar në arrestimin e katër personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve, të dyshuar si pjesë e një grupi të organizuar që merrej me sigurimin dhe shitjen e armëve të zjarrit, lëndëve plasëse dhe municionit luftarak.

Operacioni i koduar “Rrjeti” ka vënë në pranga shtetasit Marsel Varka, Elsaed Maqinaj, Fabian Zako dhe Kristaq Biba, ndërsa janë shpallur në kërkim Kevin Vila dhe Bledar Avdillari.

Sipas hetimeve, personat e përfshirë dyshohet se vepronin në bashkëpunim me një grup më të gjerë, disa prej të cilëve janë arrestuar më herët gjatë të njëjtit hetim. Autoritetet thonë se grupi merrej me furnizimin dhe shpërndarjen e armëve dhe municionit në zona të ndryshme të Tiranës.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 7 armë zjarri, përfshirë pistoleta dhe automatikë, si dhe sasi municioni dhe prova të tjera materiale. Në total, gjatë gjithë operacionit hetimor, policia ka arrestuar 9 persona dhe ka sekuestruar 17 armë zjarri, 4 kallëpë lëndë plasëse, municion luftarak, 4 automjete dhe 13 telefona celularë./euronews