Pacolli: Vazhdojmë betejën për Aeroportin e Vlorës, nuk do ta ndalim

21:32 | 8 Qershor 2026
H.E

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar lidhur me situatën në Aeroportin e Vlorës, duke deklaruar se projekti dhe asetet e tij po mbahen të bllokuara në mënyrë të padrejtë.

Me anë të një postimi në Facebook, Pacolli thekson se prej rreth një muaji, ndërtesat, terminali dhe asetet ku janë investuar mbi 100 milionë euro, si dhe kolateralet financiare me vlerë mbi 210 milionë euro, po mbahen të bllokuara nga grupe të caktuara, sipas tij, me mbështetje të Policisë së Shtetit dhe pa vendim gjyqësor, transmeton Arbresh.info.

Sipas tij, kjo situatë përbën goditje ndaj pronës private, investimeve dhe sigurisë juridike, duke shtuar se raste të tilla po tentohen të mbulohen edhe përmes vendimeve gjyqësore të dyshimta.

Pacolli përmend gjithashtu vendime të mëhershme të Gjykatës së Lartë, të cilat sipas tij i kanë dhënë të drejtë kompanisë “Mabco”, duke theksuar se aktualisht po veprohet sikur këto vendime nuk ekzistojnë.

Postimi i plotë:

Vazhdojmë betejën tonë për Aeroportin e Vlorës. Dhe këtë betejë nuk do ta ndalim.

Prej gati një muaji, ndërtesat, terminali dhe asetet ku janë investuar mbi 100 milionë euro, së bashku me kolateralet financiare me vlerë mbi 210 milionë euro, mbahen të bllokuara në mënyrë të papranueshme nga grupe të caktuara, me mbështetjen e Policisë së Shtetit, pa asnjë vendim gjyqësor.

Kjo nuk është thjesht një çështje procedurale. Kjo është një goditje e rëndë ndaj pronës private, investimit dhe ndaj sigurisë juridike dhe ndaj vetë shtetit të së drejtës.

Ajo që e bën edhe më skandaloze këtë situatë është fakti se veprime të tentohen të mbulohen edhe përmes vendimeve gjyqësore të dyshimta, si në rastin e gjyqtares së Shkallës së Parë të Tiranës, znj. Miranda Nakaj, e cila ka nxjerrë vendime që bien hapur ndesh me ligjin dhe me vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë.

Këto çështje nuk janë të reja. Ato janë shqyrtuar më parë nga Gjykata e Lartë, e cila i ka dhënë të drejtë të plotë kompanisë Mabco.

Megjithatë, sot po veprohet sikur ligji nuk ekziston, sikur vendimet e Gjykatës së Lartë nuk kanë asnjë vlerë dhe sikur prona private mund të merret peng nga kushdo që ka forcë, lidhje apo mbështetje institucionale.

Pyetja është e thjeshtë dhe duhet t’i trondisë të gjithë:

Ku kemi arritur, o Zot?

Në çfarë gjendjeje është katandisur siguria juridike në Shqipëri?

Çfarë vlere ka ligji, kur nuk zbatohet?

Çfarë vlere ka Gjykata e Lartë, kur vendimet e saj sfidohen?

Çfarë garancie ka një investitor, kur mbi qindra miliona euro mund të bllokohen pa një vendim përfundimtar gjyqësor?

Kjo nuk është Shqipëria demokratike që pretendojmë të ndërtojmë.

Kjo është një alarm i madh për drejtësinë, për ekonominë dhe për çdo qytetar që beson ende se ligji duhet të qëndrojë mbi forcën.

Ne nuk do të heshtim. Nuk do të tërhiqemi. Dhe nuk do të lejojmë që Aeroporti i Vlorës të mbahet peng nga paligjshmëria./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale