DnV: Procesi i votimit ka nisur kryesisht pa probleme

09:31 | 7 Qershor 2026
E.G

Demokracia në Veprim (DnV) ka bërë të ditura gjetjet e para nga monitorimi i procesit të votimit në zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot në Kosovë, duke vlerësuar se procesi ka nisur kryesisht pa probleme të theksuara.

Sipas DnV-së, në territorin e Kosovës janë gjithsej 2 mijë e 550 vendvotime, prej të cilave 2 mijë e 498 të rregullta dhe 52 me kusht. Të dhënat nga terreni tregojnë se vetëm 1.6 për qind e vendvotimeve janë hapur me vonesë, kryesisht për shkak të mungesës së komisionerëve, ndërsa në disa raste vonesat janë shkaktuar nga mungesa e kabinave të votimit.

DnV ka raportuar gjithashtu se në 2 për qind të vendvotimeve janë evidentuar probleme me funksionalizimin ose vendosjen e kamerave, gjë që mund të cenojë fshehtësinë e votës. Ndërkohë, në 16 për qind të vendvotimeve të monitoruara nuk ka pasur asnjë grua në përbërjen e komisioneve zgjedhore.

Sa i përket qasjes në qendrat e votimit, DnV thekson se 19 për qind e tyre ende nuk ofrojnë infrastrukturën e nevojshme për persona me aftësi të kufizuara fizike, duke kufizuar pjesëmarrjen e tyre të plotë në procesin zgjedhor.

Vëzhguesit kanë evidentuar edhe materiale promovuese të subjekteve politike në afërsi të rreth 2 për qind të qendrave të votimit të monitoruara, ndonëse legjislacioni zgjedhor ndalon vendosjen e tyre brenda një perimetri prej 100 metrash nga qendrat e votimit.

Po ashtu, në 10 për qind të qendrave të votimit është raportuar mungesa e zyrtarëve policorë, siç parashihet me ligj.

Lidhur me informimin e votuesve, DnV ka bërë të ditur se posterët me udhëzime për mënyrën e votimit nuk janë hasur në 4 për qind të qendrave të votimit. Ndërkaq, në 19 për qind të qendrave mungojnë tavolinat ndihmëse për votuesit, problematikë më e theksuar në rajonet e Ferizajt, Kaçanikut, Prizrenit, Podujevës, Prishtinës dhe Pejës.

DnV ka angazhuar 500 vëzhgues statikë në 500 vendvotime të përzgjedhura sipas mostrës përfaqësuese të rastësishme, të mbështetur nga 50 ekipe mobile dhe dhjetëra vullnetarë në Qendrën e Thirrjeve. Organizata ka paralajmëruar se gjatë ditës do të vazhdojë të informojë publikun për ecurinë e procesit zgjedhor përmes konferencave për media dhe rrjeteve sociale.

Shpërndaje në rrjete sociale