Riquelme synon ta sjellë Kloppin te Real Madridi

23:50 | 5 Qershor 2026
E H

Kandidati për president të Real Madrid, Enrique Riquelme, ka prezantuar një plan ambicioz për të sjellë trajnerin gjerman Jürgen Klopp në stolin e klubit madrilen, në rast se siguron mbështetjen në zgjedhjet e ardhshme.

Riquelme ka deklaruar se, nëse merr drejtimin e klubit, do të nisë menjëherë përpjekjet për ta bindur Kloppin të marrë drejtimin e “Los Blancos”, pavarësisht se trajneri gjerman ka theksuar më herët se nuk planifikon një rikthim të shpejtë në pankinë.

Sipas tij, projekti i Real Madridit përfaqëson një mundësi të veçantë dhe një sfidë që mund të jetë tërheqëse edhe për një trajner të nivelit të Kloppit.

“Ka klube të mëdha në botë, por ekziston vetëm një Real Madrid. Është një institucion që bashkon traditën me të ardhmen dhe ambicien me suksesin,” është shprehur Riquelme.

Ai ka bërë të ditur gjithashtu se, nëse fiton zgjedhjet, ish-kapiteni Raúl González do të kontaktojë Kloppin për t’i prezantuar projektin sportiv dhe vizionin për një epokë të re në klub.

Riquelme thekson se kjo strategji përputhet me pritshmëritë e shumë anëtarëve të klubit, me të cilët ka zhvilluar takime gjatë javëve të fundit./telegrafi

Shpërndaje në rrjete sociale