Shefja e BE-së në Prishtinë: Sa më shpejt, Kosova ka nevojë për institucione funksionale

12:19 | 3 Qershor 2026
E.K

Ushtruesja e detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka njoftuar për mbërritjen në Prishtinë të Presidentit të Këshillit Evropian, António Costa.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Palatova bëri të ditur se Costa do të zhvillojë takime me liderë institucionalë dhe përfaqësues të partive politike gjatë vizitës së tij në Kosovë.

Ajo theksoi se perspektiva e zgjerimit të Bashkimit Evropian është reale, duke nënvizuar rëndësinë e funksionalizimit të institucioneve në vend.

“Mundësia e zgjerimit të BE-së është reale. Kosova ka nevojë për institucione plotësisht funksionale sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shkruar Palatova.

Vizita e Costës në Kosovë zhvillohet në kuadër të turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor.