Ardian Gjini mesazh qytetarëve: Rruga jonë zgjidh nevojat e sotme dhe ndërton të ardhmen

13:48 | 3 Qershor 2026
A Z

Kandidati i Aleancës për kryeministër, Ardian Gjini, ka adresuar një nga problemet më të mëdha sociale me të cilat po përballen qytetarët e Kosovës.
Në mesazhin e tij, Gjini ka vënë në pah se keqqeverisja e Qeverisë ikje ka mbjellë pasiguri, por programi i AAK-së ofron zgjidhje të menjëhershme dhe vizion afatgjatë.

“Gjatë gjithë këtyre ditëve të fushatës kam bisedu me shumë prej jush, kam bisedu për planin tonë për synimet tona, për ato që ne e synojmë me ndërtu në Kosovë, edhe për projekte konkrete, po ka diçka që unë e kam pa te secili prej jush, ka qenë ankthi i cili e përcjell secilin qytetar të Kosovës, çka do të ndodhë nesër”, ka deklaruar ai.

Më tej, Gjini ka shpjeguar strategjinë e tij qeverisëse, duke garantuar se plani i tij menaxhon me saktësi emergjencat e sotme pa e humbur rrugën drejt zhvillimit strategjik të viteve të ardhshme.

“A duhet të fokusohemi aty apo duhet ta kemi një fokus edhe çfarë do të ndodhë mas dy, tri, pesë ose dhjetë viteve? Këtë ankth, po ju them, e ka secili, ama rruga jonë është ajo që i zgjidh të dyja, e kuptoj brengën e secilit. E kuptoj që ju keni nevoja edhe nesër në mëngjes, jo vetëm pas pesë viteve, por rruga jonë edhe një herë i zgjidh të dyja”, është shprehur ai.

Ardian Gjini ka përcjellë një mesazh të fuqishëm shprese dhe mobilizimi, duke kërkuar besim për të nisur menjëherë punën e madhe të transformimit të Kosovës.

“Duhet të besoni në vetveten, besoni në vendin tuaj, besoni që ne mundeni me e shndërru Kosovën në diamant, jo me ju lanë me pritë, po menjëherë”.