GAP dhe KLGI kundërshtojnë tarifën për hyrje në Prishtinë

11:53 | 3 Qershor 2026
H.E

Instituti GAP dhe Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale kanë kërkuar tërheqjen e dispozitave që i konsiderojnë diskriminuese në draft-rregulloren e re të Komuna e Prishtinës për taksa, tarifa dhe gjoba komunale, si dhe zhvillimin e një konsultimi publik të veçantë për këtë dokument.

Në një reagim publik, dy organizatat kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me “Draft Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba Komunale”, duke vlerësuar se disa nga dispozitat e propozuara rrezikojnë të cenojnë parimet e barazisë, proporcionalitetit dhe mosdiskriminimit.

Sipas tyre, drafti parasheh vendosjen e tarifave komunale për veprimtari ekonomike pa një metodologji të qartë të llogaritjes dhe pa analizë të ndikimit ekonomik. Po ashtu, kundërshtohet edhe propozimi për vendosjen e një takse prej 10 eurosh për hyrjen në territorin e Prishtinës për automjetet e regjistruara jashtë kryeqytetit.

GAP dhe KLGI vlerësojnë se masa të tilla krijojnë trajtim të pabarabartë ndërmjet qytetarëve dhe bizneseve, duke rrezikuar shkeljen e parimit të mosdiskriminimit.

Organizatat kanë rikujtuar gjithashtu se Prishtina është e vetmja komunë në Kosovë që përfiton grant shtesë për shkak të statusit të kryeqytetit, duke marrë rreth 20 milionë euro në vit nga buxheti i shtetit për të përballuar ngarkesat shtesë administrative dhe funksionale.

Në reagimin e tyre, ato i bëjnë thirrje Komunës së Prishtinës që të heqë dorë nga dispozitat që prodhojnë trajtim diskriminues, të organizojë konsultime publike të ndara me grupet e prekura dhe të ofrojë analiza të qarta mbi ndikimin ekonomik dhe social të masave të propozuara.

Sipas GAP dhe KLGI, rregulloret komunale duhet të kontribuojnë në përmirësimin e shërbimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke garantuar trajtim të barabartë për qytetarët dhe bizneset dhe duke u hartuar përmes një procesi transparent e gjithëpërfshirës./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale