Samiti i NATO në Ankara, pritet të marrë pjesë dhe Donald Trump

13:17 | 3 Qershor 2026
H.E

Turqia pret që Presidenti Donald Trump të marrë pjesë në një samit të NATO në Ankara muajin e ardhshëm, ku anëtarët e aleancës pritet të përballen me presion të ri për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan tha për Bloomberg TV se në telefonatat e fundit me presidentin Rexhep Erdogan, Trump kishte dhënë sinjale se planifikon të marrë pjesë në takimin e 7-8 korrikut.

Fidan tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj NATO, duke shtuar se nuk ka shenja se Uashingtoni synon të ndërmarrë veprime për t’u tërhequr nga aleanca.

Ai shtoi se aleatët europianë kanë filluar tashmë të rrisin buxhetet e mbrojtjes në përgjigje të presionit amerikan dhe se udhëheqësit do të shqyrtojnë progresin në samit.

Pjesëmarrja e Trump në samit do të ishte një urë paqeje në marrëdhënien e tensionuar të Uashingtonit me aleancën në muajt e fundit, për shkak të luftës në Iran.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka akuzuar aleancën se nuk u gjend krah shteteve të Bashkuara në këtë konflikt, në të cilin NATO zgjodhi të mos bëhet palë.

Trump dhe zyrtarët e tij më të lartë shkuan aq larg sa të konsideronin një tërheqje nga aleanca, por javët e fundit retorika ka qenë më e qetë.

Shtetet anëtare të aleancës veriatlantike janë zotuar tashmë të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të prodhimit të brendshëm bruto, me kërkesë të presidentit amerikan./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale