Rama për protestat në Zvërnec: Shqipëria do të bëhet sipas kontratës që kemi lidhur me 83 vota

08:18 | 3 Qershor 2026
Q L

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar sërish lidhur me protestat kundër projektit në Zvërnec, duke theksuar se zhvillimi i vendit do të vijojë sipas mandatit që, sipas tij, qytetarët i kanë dhënë qeverisë në zgjedhjet e fundit.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Rama u shpreh se Shqipëria do të ndërtohet sipas “kontratës” që mazhoranca ka lidhur me qytetarët, shkruan Arbresh.info.

“Shqipëria do bëhet sipas kontratës që kemi lidhur për herën e katërt në majin e shkuar me 83 vota, pavarësisht se çfarë thonë e çfarë duan këta shqiptarët që e dinë Shqipërinë peng të verbërisë së tyre dhe atdhedashurinë podium për të sharë me libër shtëpie tradhtarët e armiqtë imagjinarë të Shqipërisë”, shkroi Rama.

Kreu i qeverisë u kërkoi gjithashtu protestuesve që të reflektojnë, duke thënë se protesta ka humbur arsyen që kishte në fillim.

“Ju uroj një ditë të mbarë me një përqafim të veçantë për ata të mitë që kanë mbetur akoma peng i një proteste të cilës i ka humbur çdo arsye reale e nisjes”, deklaroi ai.

Reagimi i Ramës vjen në kohën kur kundërshtimet ndaj projektit në zonën e Zvërnecit kanë vijuar edhe gjatë ditëve të fundit, me protesta dhe përplasje mes qytetarëve dhe autoriteteve./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale