Kryeministri Edi Rama e ka krahasuar projektin e Zvërnecit me atë të Costa Navarino në Greqi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se edhe në Greqi, para se të ndërtohej ky projekt, u tha se do të shkatërrohej natyra e do të zhdukej biodiversiteti, pati peticione dhe kundërshti, por projekti u ndërtua. Sipas kreut të qeverisë, Costa Navarino është një nga destinacionet turistike më prestigjoze të Europës.
Rama tha se Shqipëria do të ketë “Costa Navarinon”, madje ende më rrezatuese, në Zvërnec.
Postimi i kryeministrit Edi Rama
Mirëmëngjes dhe me këtë histori të vërtetë nga fqinjët tanë të jugut, ju uroj ditë të mbarë
Costa Navarino mund të quhet ndryshe historia e zakonshme e lajmëtarëve të katastrofës, atyre që nuk ëndërrojnë po paragjykojnë ëndrrat e të tjerëve; nuk projektojnë po gjykojnë projektet e të tjerëve; nuk ndërtojnë po përgojojnë ata që ndërtojnë.
Sa më e madhe ëndrra aq më i madh paragjykimi i tyre, sa më ambicioz projekti, aq më e madhe katastrofa e paralajmëruar, sa më i madh ndërtimi aq më i llahtarshëm përgojimi i atyre që ndërtojnë.
Ndodhi në Greqi. Me Costa Navarinon.
Para se të ndërtohej, u tha se po vinte fundi i botës.
U tha se do të shkatërrohej natyra.
U tha se do të zhdukej biodiversiteti.
U tha se fushat e golfit do të pinin ujin e brezave që do të vinin dhe Messinia do të kthehej në shkretëtirë.
U tha se një nga peizazhet më të bukura të Mesdheut do të varrosej nën pushtimin e betonit.
Peticione.
Protesta.
Kundërshti.
Debate.
Parashikime apokaliptike.
Me pak fjalë, repertori i zakonshëm i atyre që e kanë më të lehtë të venë kujën për fundin e një vendi, sesa për transformimin e tij.
Por në fund projekti u ndërtua.
Dhe sot?
Sot Messinia nuk është simbol i katastrofës.
Është simbol i transformimit të një ëndrre të bukur në një realitet mbresëlënës, falë një projekti shumë ambicioz.
Një nga destinacionet turistike më prestigjioze të Europës.
Një rajon i vendosur si një perlë e rrallë në kurorën e turizmit botëror.
Mijëra vende pune të mirëpaguara.
Miliarda euro të gjeneruara për ekonominë.
Shumë biznese lokale që janë rritur përreth.
Prona që kanë fituar vlerë.
Një territor i tërë që ka ndryshuar rrënjësisht pa humbur ekuilibrin mes natyrës dhe komunitetit.
Dhe në këtë trajektore spektakolare transformimi ja edhe disa fakte kokëforta:
🌱 75% më pak emetime operacionale karboni krahasuar me vitin 2019.
💧 Mbi 185 mijë metra kub ujë të ricikluar dhe ripërdorur vetëm gjatë vitit 2024.
♻️ 72% më pak plastikë njëpërdorimëshe.
⚡ 100% energji elektrike nga burime të rinovueshme.
Të kuptohemi! Kjo histori e bukur e vendit fqinj, nuk do të thotë se çdo investim i madh është automatikisht i mirë. As se çdo shqetësim është pa vlerë. Përkundrazi. Por do të thotë se zhvillimi nuk mund të mohohet kurrë kategorikisht. Një projekt bashkëjetese i zhvillimit me natyrën nuk mund të paragjykohet asnjëherë arbitrarisht. Sepse po të ishte dëgjuar gjithmonë kori i atyre që thonë “nuk bëhet” se prishet, njerëzimi do të ishte ende duke diskutuar nëse ia vlen të shpiket rrota.
Nuk do të kishte aeroporte.
Nuk do të kishte porte.
Nuk do të kishte autostrada.
Nuk do të kishte qytete moderne.
Nuk do të kishim as vetë Europën që njohim sot.
Costa Navarino nuk është thjesht historia e një resorti më shumë. Është prova se kur vizioni, projekti, kapitali, teknologjia dhe përgjegjësia bashkohen në një ëndërr të madhe, mund të ndryshojnë fatin e një territori të tërë.
Po Shqipëria s’mund ta ketë “Costa Navarinon” e saj? Patjetër që po, madje ende më rrezatuese botërisht mu aty, në Zvërnec, po si e qysh kjo nuk ka lidhje me historinë e këtij postimi, po me historinë e një projekti që ka ambicien të krijojë destinacionin më tërheqës të kësaj ane të Mesdheut.
Konate do t’i bashkohet Realit, nëse Perez fiton zgjed...
Vjedhje e rëndë në Prishtinë, arrestohen dy shtetas të Shqip...
Milani nis revolucionin, nisin takimet për drejtorin e ri te...
Vitia: Nis zbatimi i Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm Shën...
Gjermania do një vend në Këshillin e Sigurimit të OKB-së
Aktakuzë në Prizren për mashtrim në tender me dokumentacion ...