Përhapja e Ebolës në Kongo vlerësohet “thellësisht alarmante”

10:19 | 31 Maj 2026
E.H

Organizata bamirëse mjekësore “Médecins Sans Frontières” ka paralajmëruar rrezikun e madh nga përhapja e shpejt e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, duke e vlerësuar situatën si “thellësisht alarmante”.

Duke folur dy javë pas shpalljes së shpërthimit, zëvendësdrejtori i kësaj organizate, Dr. Alan Gonzales, ka thënë se kurrë më parë nuk ishin regjistruar kaq shumë raste për një periudhë kaq të shpejtë.

Këto komente të tij kanë ardhur në kohën kur tani ka më shumë se 1,000 raste të dyshuara të Ebolës në RD të Kongos dhe të paktën 246 vdekje.

Derisa, edhe Uganda fqinje ka raportuar nëntë raste të konfirmuara dhe një vdekje.

“Dy javë pas shpalljes së shpërthimit të sëmundjes së Ebolës në Provincën Ituri, situata është thellësisht alarmante. Asnjëherë më parë një shpërthim i Ebolës nuk ka regjistruar kaq shumë raste kaq shpejt pas shpalljes së saj”, ka thënë Gonzales.

Ai ka theksuar se ekipet e tij po vazhdojnë punën në terren, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

“Realiteti sot është se askush nuk e di shkallën dhe ashpërsinë e vërtetë të këtij shpërthimi. Raste të reja të dyshuara raportohen çdo ditë, megjithatë qindra mostra mbeten të patestuara.”, ka shtuar ai.

Sipas tij, përpjekjet për përmbajtje dhe shpërndarja e ndihmës humanitare po vonohen edhe si pasojë e kufizimeve të mëdha, duke përfshirë mbylljen e kufijve dhe aeroporteve.

OBSH-ja ka paralajmëruar vazhdimisht se konflikti i vazhdueshëm në Republikën Demokratike të Kongos po pengonte gjithashtu ndjeshëm reagimin ndaj shpërthimit të Ebolës.

Shpërndaje në rrjete sociale