Imami shqiptar uron besimtarët për Kurban Bajramin: Më shumë paqe, solidaritet dhe shpresë për shoqërinë tonë

09:47 | 26 Maj 2026
E.K

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka përcjellë urimet e tij me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke theksuar rëndësinë e paqes, solidaritetit dhe harmonisë mes njerëzve.

Në mesazhin e tij, Spahiu uroi që kjo festë të sjellë paqe, mirësi, begati dhe harmoni në çdo familje shqiptare.

“Kurban Bajrami është një ndër festat më të rëndësishme të besimit islam. Është festa e sakrificës, e bindjes ndaj Zotit, solidaritetit dhe dashurisë ndaj njeriut. Ajo na rikujton shembullin e Profetit Ibrahim, i cili tregoi besim, durim dhe përkushtim ndaj Krijuesit”, shprehet ai.

Sipas kreut të Komunitetit Mysliman, mesazhi i kësaj feste mbetet një thirrje e fuqishme për forcimin e moralit, përgjegjësisë dhe humanizmit në jetën e përditshme.

“Feja jonë ndërtohet mbi paqen, respektin dhe vlerat njerëzore universale. Kjo festë na fton të reflektojmë më shumë për njëri-tjetrin, të jemi më pranë familjeve, të moshuarve dhe njerëzve në nevojë”, theksoi Spahiu.

Ai nënvizoi se Kurbani përfaqëson solidaritetin, ndarjen dhe kujdesin për tjetrin, sidomos në një kohë kur bota përballet me sfida dhe konflikte të shumta.

“Kemi nevojë më shumë se kurrë për mirëkuptim, dialog, respekt dhe bashkim mes njerëzve. Shoqëria jonë ka nevojë për më shumë dashuri dhe shpresë”, vijon mesazhi.

Në fund, Bujar Spahiu vlerësoi harmoninë fetare në Shqipëri si një pasuri të çmuar që duhet ruajtur dhe forcuar çdo ditë.

“Uroj që kjo festë të sjellë gëzim në çdo vatër shqiptare dhe mirësi për të gjithë shoqërinë tonë. Gëzuar Kurban Bajramin!”, përfundon urimi i tij.

Në Tiranë, Kurban Bajrami do të falet ditën e nesërme (27 maj) në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Falja e namazit do të nisë në orën 06:30.