KEK: Nuk ka rrezik gjatë punimeve në TC “Kosova B”

21:40 | 21 Maj 2026
E.G

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar opinionin publik se gjatë realizimit të projektit për modernizimin e njësive gjeneruese në Termocentralin “Kosova B”, janë zbatuar masa standarde parandaluese për trajtimin e materialeve izoluese të identifikuara në zonën ku po zhvillohen punimet.

Sipas KEK-ut, në kuadër të procedurave të sigurisë janë marrë mostra nga ekspertë gjermanë për analiza profesionale, ndërsa për verifikime shtesë është kërkuar edhe mbështetja e ekipeve të specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), me qëllim të respektimit të standardeve më të larta të sigurisë.

KEK thekson se deri më tani nuk është evidentuar asnjë rrezik, nuk ka punonjës të lënduar apo të prekur në aspektin shëndetësor dhe se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme parandaluese dhe mbrojtëse për sigurinë e punëtorëve dhe zhvillimin normal të aktiviteteve.

Korporata rithekson përkushtimin e saj për sigurinë në punë dhe informimin transparent të publikut.

Shpërndaje në rrjete sociale