Sveçla njofton nisjen e procesit për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës

10:20 | 19 Maj 2026
E.H

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ka nënshkruar themelimin e grupit punues për analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës.

Sipas tij, Xhandarmëria do të funksionojë si agjencion brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës së sigurisë së vendit.

Sveçla thekson se misioni i këtij institucioni të ri do të jetë forcimi i prezencës shtetërore në ruajtjen e kufijve, mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial, luftimin e terrorizmit, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë, si dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

“Xhandarmëria e Republikës së Kosovës po bëhet. Si Ministër i Punëve të Brendshme sot kam nënshkruar themelimin e grupit punues i cili do të bëj analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, si Agjencion i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufinjve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Xhandarmëria e Republikës së Kosovës do të forcojë ndjeshëm kapacitetin shtetëror për parandalim, menaxhim dhe neutralizim të kërcënimeve që cënojnë sigurinë e qytetarëve dhe integritetin territorial të vendit tonë”, ka shkruar Sveçla./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale