MABCO akuzon Valon Ademin për “vetëgjyqësi kriminale” në Aeroportin e Vlorës, rreth 200 punëtorëve u ndalohet hyrja në kantier

09:32 | 19 Maj 2026
E.H

Shoqëria “Mabco Constructions S.A.” ka reaguar përmes ekipit të saj ligjor lidhur me situatën e krijuar në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke deklaruar se për të dytën ditë me radhë punonjësit dhe inxhinierët e saj po pengohen fizikisht të hyjnë në kantier.

Në deklaratën zyrtare thuhet se rreth 200 punonjës, inxhinierë dhe specialistë të kompanisë janë ndaluar të hyjnë në ambientet e aeroportit, ndonëse, sipas Mabco-s, nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor që ndalon hyrjen e kompanisë apo nënkontraktorëve të saj në kantier, transmeton Arbresh.info.

Kompania thekson se vendimi gjyqësor i përmendur nga Valon Ademi ka të bëjë vetëm me pezullimin e përkohshëm të të drejtës së votës së Mabco-s në shoqëri dhe jo me ndalimin fizik të aksesit në aeroport.

Ekipi ligjor i Mabco-s akuzon Valon Ademin, administratorin Vegim Hoxha dhe Bujar Ejupin për, siç thuhet, “vetëgjyqësi kriminale”, duke pretenduar se po ushtrohet pengim arbitrar ndaj ortakut mazhoritar të projektit.

Sipas deklaratës, Mabco Constructions S.A. zotëron 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. dhe ka investuar mbi 90 milionë euro në ndërtimin e aeroportit.

Kompania i ka bërë thirrje autoriteteve shtetërore, përfshirë Kryeministrin, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Policinë e Shtetit, që të ndërhyjnë menjëherë për të garantuar hyrjen e lirë të punonjësve në kantier dhe mbrojtjen e investimit.

Mabco deklaron se do të vazhdojë të ndjekë të gjitha rrugët ligjore civile dhe penale ndaj çdo personi apo subjekti që, sipas saj, cenon investimin dhe projektin e Aeroportit të Vlorës./Arbresh.info

LEXO EDHE:

Tensione në Aeroportin e Vlorës/ Punëtorët e MABCO-s përplasen e policinë dhe sigurinë private të Valon Ademit, nuk lejohen të hyjnë në kantier

Reagimi i plotë:

Deklaratë zyrtare e Ekipit Ligjor të shoqërisë Mabco Constructions S.A. Tiranë, 19 maj 2026

Sot, për herë të dytë, në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës po përsëritet e njëjta situatë e papranueshme, plotësisht e paligjshme me VETËGJYQËSI të Valon Ademit.

Rreth 200 punonjës, inxhinierë dhe specialistë të shoqërisë Mabco Constructions S.A., ortakut mazhoritar me 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. dhe investitorit kryesor që ka financuar dhe ndërtuar projektin me mbi 90 milionë euro investime direkte, po pengohen fizikisht të hyjnë në kantierin që ata vetë e kanë ngritur.

Nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor që ndalon hyrjen e Mabco-s ose nënkontraktorëve të saj në aeroportin që ajo ka ndërtuar me investimet e veta.

Vendimi gjyqësor i pretenduar dje nga Valon Ademi dhe i shperndare ne media është ai që pezullon përkohësisht të drejtën e votës së Mabco-s në shoqëri, vendim që aktualisht ndodhet në shqyrtim në Gjykatën e Lartë. ASNJË vendim gjyqësor nuk ka ndaluar hyrjen fizike të Mabco-s në kantier.

Ky ndalim i njëanshëm dhe arbitrar është vetëgjyqësi e pastër kriminale nga ana e z. Valon Ademi dhe ortakut minoritar 2%, e kryer nëpërmjet administratorit të kontestuar Vegim Hoxha dhe Bujar Ejupi.

Mabco Constructions S.A. nuk ka qenë dhe nuk është në asnjë rast nënkontraktor i shoqërisë VIA, siç tregohet qartë dhe pa asnjë dyshim në nenin 10.7 pika (iv) të Kontratës së Koncesionit. Mabco është ortaku mazhoritar, investitori kryesor, financuesi real dhe subjekti që përmbush kriteret teknike, financiare dhe operacionale mbi të cilat është dhënë vetë koncesioni.

Është detyrë ligjore e autoriteteve qeveritare dhe e Autoritetit Kontraktues (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë) të lejojnë dhe të garantojnë aksesin e lirë në hyrje dhe dalje të kantierit, sipas nenit 7.1 pika (b) dhe (c) të Kontratës së Koncesionit.

Mosveprimi i autoriteteve shtetërore ndaj këtij vendimi arbitrar të një ortaku me vetëm 2% të kuotave përbën qartazi mosplotësim të detyrimeve kontraktore nga ana e shtetit shqiptar.

Ekipi ynë ligjor ka njoftuar sërish dje Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për këtë situatë të rëndë dhe për dështimin e Policisë së Vlorës që, edhe sot, nuk po garanton rendin publik, sigurinë dhe mbrojtjen e pronës së investuar nga Mabco.

Ne presim nga autoritetet kompetente që të ndërhyjnë menjëherë për: të ndalojnë këtë vetëgjyqësi kriminale; të garantojnë aksesin e plotë dhe të papenguar të punonjësve, inxhinierëve dhe nënkontraktorëve tanë në kantier; të mbajnë të paprekur terminalin dhe veprën e ndërtuar nga Mabco.

Mabco Constructions S.A. kërkon të besojë në sundimin e ligjit dhe në mbrojtjen e investimeve të huaja dhe jo në VETËGJYQËSI kriminale të Valon Ademit.

Do të vazhdojmë të ushtrojmë të gjitha të drejtat tona ligjore, civile dhe penale, ndaj çdo personi ose subjekti që cenon investimin tonë dhe interesin kombëtar të projektit.

Ekipi Ligjor i Mabco Constructions S.A.

LEXO EDHE:

Punëtoreve të MABCO-s nuk u lejohet vazhdimi i punimeve në Aeroportin e Vlorës

Sërish tensione në aeroportin e Vlorës/ ‘2A Group’ nuk lejon hyrjen në kantier të punonjësve të Pacollit – Policia i kërkon Mabco-s vërtetim gjykate

Shpërndaje në rrjete sociale