Kryeministri Edi Rama ka theksuar se procesi i integrimit në Bashkimin Europian mbetet faktori kyç për forcimin e institucioneve dhe garantimin e një sistemi të pavarur drejtësie në Shqipëri.
Duke folur për sfidat e reformës në drejtësi dhe ndërtimin e shtetit ligjor gjatë sesionit hapës të Kongresit Botëror të Ligjit në Tiranë, Rama u shpreh se vendi është në një moment vendimtar për të bërë të pakthyeshme ndryshimet e ndodhura me reformën në drejtësi.
Sipas Kryeministrit, pa mbështetjen e Bashkimit Europian, ndërtimi i një sistemi të pavarur drejtësie dhe vendosja e barazisë para ligjit do të ishte thuajse e pamundur.
“Hendeku që duhet të mbushim është krijimi i një sistemi që e bën të pamundur arbitraritetin. Ne jemi në këtë sfidë të vendosur që të mos lejojmë që të ketë kthim pas dhe ta bëjmë të pakthyeshëm këtë proces dhe në këtë pikë ka diçka, që është anëtarësimi në BE. Nëse BE nuk do të ishte aty, ne nuk do të arrinim kurrë të ndërtonim një sistem të pavarur drejtësie dhe të vendosnim barazinë para ligjit. Ose do të arrinim po aq sa kanë arritur afganët apo irakenët pas bombave dhe përpjekjeve utopike të Perëndimit për të çuar demokracinë në ato vende.
Ndryshimi mes nesh dhe atyre është se ne kemi BE dhe ata nuk e kanë BE-në. BE është burimi më i madh dhe i vetëm në botë për të mësuar si ndërtohen institucionet dhe i gjithë procesi i integrimit është transferim i dijeve nga Brukseli në Tiranë. Ky transferim dijeje është një bekim, sepse nuk e rikrijon dot një vend me forcat e veta kur paguan çmimin e një historie pa shtet dhe institucione deri vonë”, tha Rama.
Ai shtoi se Shqipëria nuk duhet të lejojë cenimin e reformave të ndërmarra në drejtësi dhe se procesi duhet të vazhdojë me vendosmëri, pavarësisht sfidave.
“Jam besimplotë që ky proces do të shkojë përpara ashtu siç duhet, me të gjitha dhimbjet dhe kostot e veta, ashtu sikundër jam më i vendosur se asnjëherë që të mos lejojmë të cenohet ajo çka është projektuar dhe të mos lejojmë të lëkundet ajo që është ndërtuar në aspektin e një sistemi të ri dhe të pavarur drejtësie’, tha Rama.
Tirana do të jetë vitin e ardhshëm mikpritëse e Kongresit Botëror të Ligjit, ku Rama e cilësoi organizimin e këtij kongresi si një moment historik për Shqipërinë dhe një vlerësim për transformimet e ndërmarra në sistemin e drejtësisë gjatë dekadës së fundit.
“Për Shqipërinë që bëhet epiqendra e një aktiviteti me prestigj botëror në fushën e sundimit të ligjit, ‘Një botë e qeverisur nga ligji dhe jo nga forca’ është motoja që ka udhëhequr që nga viti i lindjes së saj Shoqatën Botërore të Juristëve. Sot ky kongres është një institucion që çon nëpër botë mesazhin e një bote të qeverisur nga ligji dhe jo nga forca. Askush nuk do ta kishte imagjinuar që Tirana do të përzgjidhej për të zhvilluar këtu Kongresin e Ligjit, jo për pozicionin e saj gjeografik, por për çka Shqipëria ka bërë në dekadën e fundit në raport me një sfidë historike dhe të pamundur për shumë dekada për popullin shqiptar, për të ndërtuar këtu pikërisht kushtet e një vendi të qeverisur nga ligji dhe jo nga forca”, tha Rama.
Sipas tij, përzgjedhja e Tiranës si vend organizator lidhet me reformat që Shqipëria ka ndërmarrë për ndërtimin e një shteti ligjor.
“Vetingu ishte një pikë kyçe dhe një moment kthese në historinë e drejtësisë shqiptare. Të gjithë ishin mosbesues, pasi ishte historia e Shqipërisë që pushteti i drejtësisë ishte në duart e më të fuqishmëve të politikës; demokraci, monarki, diktaturë dhe pavarësisht nga kalimet e sistemeve, një gjë ishte e pandryshuar: shpata e zonjës së drejtësisë ishte e palëvizur në zyrën e të parit të qeverisë.
Me reformën në drejtësi ka filluar të japë rezultate të prekshme, ndërkohë që duhet të garantohet jetëgjatësia e vetë institucioneve. Ndërtimi i institucioneve të projektuara në atë reformë nuk është një proces që mund të përmbushet as në një dekadë dhe as në dy dekada. Procesi vazhdon”, tha Rama.
Ai theksoi se reforma në drejtësi ka nisur të japë rezultate konkrete, por shtoi se ndërtimi i institucioneve të forta është një proces afatgjatë që kërkon mbështetje të vazhdueshme politike dhe institucionale.
“Ndërkohë ajo që duhet të garantohet në mënyrë të palëkundur është që procesi të mbështetet nga kushdo në pushtetin politik. Një nga sfidat është se ndërtimi i institucioneve është tjetër gjë nga përpjekjet e politikës vendimmarrëse, të përfaqësuesve për të konceptuar dhe realizuar hartën e veprimeve. Në fund të ditës ka një të vërtetë të thjeshtë: njerëzit nuk korruptojnë dot një sistem, ndërsa sistemet, nëse nuk janë të ndërtuara mbi bazën e institucioneve që garantojnë sundimin e ligjit, korruptojnë këdo”, tha kryeministri.
Bedri Hamza e mirëpret Aida Dërgutin në PDK
Franca përgatit ndihmë financiare për linjat ajrore pas rrit...
Vlahovic i vetëofrohet Barcelonës
Kurti nderon Bahri Fazliun: Figurë e rrallë që bashkoi pushk...
Kane e barazoi një rekord të Ronaldos në Ligën e Kampionëve
Kujdes parësor shëndetësor për fëmijët, Vitia njofton vendim...