Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar dhe ish-deputetë të Kuvendit, ka nderuar sot figurën e dëshmorit Bahri Fazliu. Gjatë homazheve, Kurti vlerësoi lart kontributin e Fazliut si një personalitet i shumanshëm që i dha peshë luftës për liri.
“Bashkë me kolegët nga Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Republikës, me zyrtarë të shtetit e me aktivistë të lëvizjes, me Fadil Fazliun, vëllaun e Bahriut dhe Fahriut, jemi këtu tek varri ku prehet i qetë Bahri Fazliu, i cili ishte luftëtar edhe para luftës çlirimtare”, tha Kurti.
Ai tutje tha se Bahri Fazliu përfaqëson një profil unik për kombin shqiptar, duke ndërthurur pushkën me penën:
“Kombi shqiptar ka Bahri Fazliun, një luftëtar jo vetëm të orëve të para të përpjekjeve tona çlirimtare, por tek ai e gjejmë edhe shembullin e një intelektuali të ri, e një kritiku të angazhuar, e një poeti romantik, e një drejtuesi të gazetës, dhe gjithashtu e një organizatori e ideatori njëkohësisht të strategjisë çlirimtare përmes organizimit të popullit”.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri në detyrë u ndal edhe te simbolika e vendprehjes së dëshmorit, i cili gjendet i rrethuar nga njerëzit e tij më të afërt të idealit:
“Bahri Fazliu sot prehet këtu në Prishtinë, ndërmjet dy personaliteteve të tjera të cilët i kishte gjithmonë pranë. Në të djathtë të tij është dëshmori i popullit shqiptar, Fahri Fazliu, i cili më pak se një dekadë para Bahriut, në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike serbe, ra heroikisht bashkë me Afrim Zhitinë. Ndërkaq në të majtë të tij është shoku i tij i pandashëm Agron Rrahmani. Dhe këtë përparësi që e kishte Bahri Fazliu e maksimizoi duke organizuar rininë shqiptare deri në ditën e 7 majit të vitit 1998, kur ra heroikisht në betejë në Bogiqe, në kufirin ndërmjet Kosovës, Shqipërisë edhe Malit të Zi, me forcat ushtarake të Serbisë, pra më shumë se një vit para çlirimit të Kosovës”, nënvizoi Kurti.
Kryeministri në detyrë inkurajoi qytetarët që ta njohin dëshmorin jo vetëm përmes historisë, por edhe përmes krijimtarisë së tij të pasur:
“Për Bahri Fazliun mund të mësojmë jo vetëm duke e lexuar jetëshkrimin e tij nga historianët dhe bashkëluftëtarët, por gjithashtu duke e lexuar edhe atë drejtpërdrejt, meqenëse ka lënë një thesar të madh të shkrimeve, të analizave të mprehta, por gjithashtu edhe të poezive të cilat sa janë të bukura aq janë edhe frymëzuese. Lavdi Bahri Fazliut dhe të gjithë dëshmorëve të kombit tonë”, tha Kurti./rtk
Bedri Hamza e mirëpret Aida Dërgutin në PDK
Franca përgatit ndihmë financiare për linjat ajrore pas rrit...
Vlahovic i vetëofrohet Barcelonës
Kurti nderon Bahri Fazliun: Figurë e rrallë që bashkoi pushk...
Kane e barazoi një rekord të Ronaldos në Ligën e Kampionëve
Kujdes parësor shëndetësor për fëmijët, Vitia njofton vendim...