Aksion i madh kundër korrupsionit në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq – dyshime për keqpërdorim detyre dhe ryshfet

11:08 | 7 Maj 2026
E.K

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka zhvilluar një aksion të gjerë në disa lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq.

Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është realizuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe përfshin bastisjen e pesë zyrtarëve dhe dy qytetarëve të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.

Të dyshuarit po hetohen për disa vepra penale, përfshirë keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje dhe dhënie ryshfeti, mashtrim, falsifikim dokumentesh, si dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe keqpërdorim të informatës zyrtare.

Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se të përfshirët kanë vepruar në bashkëkryerje për përfitime të kundërligjshme pasurore, përmes manipulimit të dokumenteve pronësore dhe ndryshimit të paligjshëm të pronarëve të tyre.

Po ashtu, pesë zyrtarë dyshohen se kanë keqpërdorur pozitën dhe autorizimet zyrtare për të mundësuar përfitime të paligjshme.

Aksioni është ende në zhvillim dhe institucionet kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në përputhje me ligjin./Arbresh.info