Ministri i Maqedonci: FSK po forcohet me përfshirje dhe barazi

14:35 | 10 Prill 2026
E.G

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se pranimi i 36 rekrutëve të rinj nga komunitetet jo shumicë në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) përbën një moment të rëndësishëm për institucionin dhe shtetin e Kosovës.

Në një postim në Facebook, Maqedonci theksoi se ky zhvillim reflekton vizionin për një shtet dhe institucione që u përkasin të gjithë qytetarëve pa dallim, duke e cilësuar si dëshmi të përkushtimit për integrim dhe barazi në sektorin e sigurisë.

Ai u drejtua edhe rekrutëve të rinj, duke thënë se uniforma që ata mbajnë simbolizon përgjegjësi të lartë ndaj atdheut dhe qytetarëve, ndërsa zgjedhja e tyre për t’i shërbyer Kosovës, sipas tij, është një akt i pastër atdhedashurie.

“Të dashur rekrutë, nga sot uniforma që ju mbani është simboli i përgjegjësisë së lartë ndaj atdheut dhe qytetarëve tanë, përgjegjësi që do të shoqërojë çdo ditë tuajën. Zgjedhja juaj për t’i shërbyer Kosovës është akt i pastër atdhedashurie, që nderon jo vetëm ju, por edhe familjet dhe komunitetet nga të cilat vini”., ka shkruar ai.

Maqedonci theksoi se FSK-ja është ndërtuar mbi vlera të profesionalizmit, besnikërisë dhe multietnicitetit. “Diversiteti që ju përfaqësoni e bën ushtrinë tonë më të fortë, më të drejtë dhe përfaqësuese të shoqërisë sonë”, deklaroi ai.

Në fund, ministri uroi rekrutët për sukses në karrierën e tyre ushtarake, duke shprehur besimin e plotë të Republikës së Kosovës në ta.

“Në këtë rrugëtim fisnik, ju inkurajoj të shërbeni me nder, krenari dhe përkushtim të palëkundur. Republika e Kosovës ka besim në ju. Ju uroj suksese në çdo hap të karrierës suaj ushtarake”, ka deklaruar Maqedonci.