Kurti: Bandat kriminale janë shpartalluar, normaliteti po kthehet në veri

15:26 | 8 Prill 2026
E.K

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar të mërkurën Selver Haradinajn, i vrarë 14 vjet më parë nga një sulm terrorist në banesën e tij te “Tre Rrokaqiejt” në veri të Mitrovicës.

Gjatë një vizite te familja Haradinaj, Kurti tha se sulmi me eksploziv ishte tentim për shfarosjen e të gjithë familjes, pasi mjeti shpërthyes ishte vendosur pranë dritares.

Ai theksoi se për më shumë se dy dekada, familjet shqiptare në këtë pjesë të vendit kanë jetuar në pasiguri të vazhdueshme, duke bashkëjetuar çdo ditë me rrezikun e vdekjes.

“Secila dalje në qytet ka qenë pa garanci për kthim të gjallë në shtëpi nga rreziku i strukturave kriminale që kontrollin gjithë atë zonë. Por, këto banda kriminale tash janë shpartalluar e normaliteti po kthehet gjithnjë e më shumë”, deklaroi Kurti.

Në përvjetorin e vrasjes së Selver Haradinajt, Kurti tha se është përuruar objekti i ri i Administratës Tatimore të Kosovës në veri të Mitrovicës, “institucion që do të ofrojë shërbime për të gjithë qytetarët e komunave të rajonit të Mitrovicës”.