Federata e Futbollit të Kosovës ka dalë me një postim emocionues lidhur me ndeshjen e sotme të Kosovës ndaj Turqisë, përballje kjo që vlen për kualifikimin e kombëtares në Kupën e Botës.
Në Facebook, FFK u ka bërë thirrje shqiptarëve që të bëhen zëri i historisë, duke theksuar se sonte është momenti.
“Ka momente në histori që nuk përsëriten. Momente që nuk vijnë dy herë, që nuk të japin luksin e hezitimit. Sonte është një i tillë. Sot nuk është ditë për të qëndruar ulur në tribunat e stadiumit. Nuk është mbrëmje për ta parë ndeshjen si spektatorë të qetë. Sot është momenti kur secili prej nesh duhet të jetë në këmbë, me zërin në maksimum, me zemrën që rreh për një emër të vetëm: Kosovë”, thuhet në postimin emocional.
FFK pos tjerash thekson se sot jemi vetëm një hap larg Botërorit.
“Një hap që për shumëkënd ka qenë ëndërr e largët për dekada. Një shans që mund të vijë vetëm një herë në jetën tonë. Dhe kur historia të troket në derë, nuk hapet me heshtje, hapet me zhurmë, me pasion, me shpirt. Stadiumi nuk është teatër. Nuk ka skenar të shkruar, nuk ka audiencë pasive. Ka vetëm një rol për të gjithë: të jemi lojtari i dymbëdhjetë. Dardanët në fushë kanë nevojë për atë shtysë që nuk matet me statistika, por ndjehet në çdo sprint, në çdo duel, në çdo goditje”.
Ndër të tjera, Federata thotë se respekti për kundërshtarin është vlerë dhe duhet të mbetet i tillë sidomos gjatë intonimit të himnit, ‘pasi përballemi me një shtet mik’.
“Por sapo topi të nisë të rrokulliset, stadiumi “Fadil Vokrri” duhet të shndërrohet në një arenë ku edhe kundërshtari i sotëm e ndjen peshën e një kombi të tërë. Një vend ku çdo metër i fushës fitohet edhe nga tribuna. Mos e ndal këngën kur topin e kemi ne. Mos e ndal atmosferën kur e kanë ata. Sepse energjia që krijohet nga tribuna është më shumë se atmosferë, është presion, është motivim, është avantazh”.
“Bileta për në Botëror nuk është vetëm një arritje sportive. Është një mundësi për të treguar Kosovën para botës, për të promovuar identitetin, historinë dhe krenarinë tonë në skenën më të madhe të futbollit. Sonte nuk luan vetëm një ekip. Sonte luan një komb i tërë. Beso. Këndo. Brohorit. Sepse sonte, historia mund të shkruhet me zërin tënd. Forca Kosovë!”, mbaron postimi.
Policia: Siguria për ndeshjen sipas standardeve të UEFA-s
FFK me dhuratë të veçantë për tre baballarët e rinj ‘Dardanë...
Kurti në 27-vjetorin e masakrës së Pastaselit: 106 civilë u ...
Mbreti Charles takim me Trump, vizitë historike në fund të p...
Krasniqi: Komunat janë vendi ku shteti takohet me qytetarin
Ndeshja historike Kosovë-Turqi, Endrit Thaçi ndan foton emoc...