Siguria e nxënësve në shkolla vazhdon të mbetet një sfidë serioze në Kosovë. Për të përmirësuar këtë situatë, Komuna e Prishtinës po zbatojnë një projekt që ka për qëllim mbledhjen e të dhënave nga shkollat për të identifikuar problemet kryesore. Njohës të fushës së arsimit dhe sociologë theksojnë se institucionet përgjegjëse dhe gjithë komuniteti duhet të përfshihen për të krijuar një ambient të sigurt dhe mbështetës për të rinjtë.
Dhuna në shkolla mbetet një problem shqetësues që ndikon negativisht në mësim dhe zhvillimin e nxënësve. Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, ka bërë të ditur për RTK-në se rritja e sigurisë në shkolla është prioritet. Ai theksoi se po mblidhen të dhëna nga shkollat për të ofruar rekomandime konkrete.
“Kemi arritur një marrëveshje me një organizatë e cila ka për synim që të mblidhen të dhëna, të cilat pastaj do të përpunohen dhe do të paraqiten në formë të rekomandimeve nga organizata. Si komunë, si Drejtoria e Arsimit do të japim qasje për organizatën në secilin prej niveleve, por kryesisht me fokus në ciklin gjashtë nënte dhe në shkollat e mesme, aty ku edhe rastet e ndryshme të dhunës mes nxënësve, mes bashkëmoshatarëve janë më të shprehura në këto dy nivele”, thotë Shahini.
Ekspertët e arsimit vlerësojnë se përmirësimi i sigurisë kërkon një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin familjen, shkollën dhe institucionet shtetërore. Xhavit Rexhaj, për Radio Kosovën theksoi se deri më tani qasja ndaj sigurisë në shkolla ka qenë e gabuar.
“Ne jemi në gabim konceptual, thellë jo vetëm pak por shumë thellë. Prej nivelit të familjes deri te të shtetit, duhet t’i ndryshuar këto konceptualizima”, thotë Rexhaj
Bardha Qollaku, një tjetër njohëse e fushës së arsimit, shtoi se përveç edukimit mbi dhunën dhe mënyrën se si manifestohet ajo, duhet të merren masa konkrete sigurie në shkolla dhe në komunitet.
“Përveç pjesës së edukimit që duhet të përmirësohet, që të kuptohet se çka është dhuna, mënyra se si manifestohet ajo në të gjitha ambientet duke përfshirë edhe familjen. Po ashtu, duhet të ketë edhe masa të tjera sigurie nëpër shkolla dhe në komunitet, të cilat e bëjnë shoqërinë tonë më të sigurt. Pra, duhet një qasje gjithëpërfshirëse”, thotë Qollaku.
Sociologu Xhelal Hajrullahu theksoi se familja ka një rol kyç në edukimin dhe socializimin e fëmijëve, ndërsa dhuna shpesh shfaqet si pasojë e marrëdhënieve sociale të gabuar.
“Si faktor i parë i socializmit normalisht është familja, sepse të gjitha rastet shpeshherë po janë të izoluara. Dhuna nuk lind në mënyrë të izoluar, por është një lloj produkti i marrëdhënieve shoqërore, që do të thotë që ekziston ajo mungesë e kujdesit, konflikti mes prindërve, edhe ajo po bartet dhe po transmetohet edhe te faktori i dytë i socializimit, që është shkolla, sepse këto modele të gabuara po i riprodhojnë më vonë edhe te fëmijët”, thotë Hajrullahu.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se vetëm në vitin 2025 janë shënuar 631 raste të dhunës në shkolla, duke treguar domosdoshmërinë e masave të menjëhershme për përmirësimin e sigurisë së nxënësve.
Aliti për mediat turke: Turqia ka një kombëtare shumë të for...
Irani: Kemi goditur bazën ajrore të amerikanëve në Jordani
Hyn i armatosur në lokal dhe godet pronarin, arrestohet 28-v...
Interi tashmë kërkon zëvendësuesin për Bastonin
Turqit nuk do të stërviten në “Fadil Vokrri” ...
Shembja e dheut në Prishtinë lë pa rrymë një pjesë të kryeqy...