IKSHPK: Rriten sëmundjet jo-ngjitëse në Kosovë, kryeson hipertensioni

13:43 | 25 Mars 2026
E.H

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se sëmundjet kronike jo-ngjitëse, përfshirë hipertensionin, vazhdojnë të jenë shkaku kryesor i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në vend, duke paraqitur një sfidë të vazhdueshme për sistemin shëndetësor.

Sipas të dhënave të publikuara nga IKSHPK për vitet 2023 dhe 2024, është shënuar rritje e rasteve të raportuara të këtyre sëmundjeve.

“Hipertensioni arterial mbetet diagnoza më e shpeshtë, duke përbërë mbi gjysmën e rasteve në të dy vitet, ndërsa diabeti, sëmundjet kronike obstruktive të mushkërive (COPD) dhe sëmundjet malinje zënë një pjesë të konsiderueshme të barrës së përgjithshme shëndetësore”, thuhet në raportin e IKSHPK-së.

Sipas këtij instituti, hipertensioni arterial primar ka shënuar rritje nga 20,472 raste në vitin 2023 në 21,425 raste në vitin 2024, që përbën një rritje prej 4.7 për qind. Sipas të dhënave, rastet dominojnë tek personat mbi moshën 50 vjeç, me përqindjen më të lartë në grupmoshën 65–69 vjeç.

Po ashtu, ndonëse prevalenca është më e lartë te femrat, meshkujt mbeten më të rrezikuar nga komplikimet kardiake, përfshirë infarktin akut të miokardit.

Sa i përket diabetit, IKSHPK njofton se kjo sëmundje paraqet një nga sfidat më serioze të shëndetit publik në Kosovë. Rastet e diabetit tip 2 janë rritur ndjeshëm nga 9,723 në vitin 2023 në 11,729 në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 20.6 për qind.

Në të njëjtën kohë, diabeti tip 1 ka shënuar ulje nga 3,410 në 2,681 raste. Sipas IKSHPK, kjo rritje lidhet me faktorë të tillë si obeziteti, mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja jo e shëndetshme dhe urbanizimi. Rastet më të shpeshta regjistrohen në grupmoshën 65–69 vjeç, por po vërehet edhe shfaqje gjithnjë e më e hershme e sëmundjes.

Në lidhje me sëmundjet e zemrës, të dhënat e IKSHPK-së tregojnë ndryshime në disa kategori. Angina pectoris ka rënë nga 1,715 raste në vitin 2023 në 403 raste në vitin 2024, ndërsa infarkti akut i miokardit është rritur nga 1,800 në 2,366 raste.

Po ashtu, sëmundjet iskemike kronike kanë shënuar ulje. IKSHPK vlerëson se këto ndryshime lidhen edhe me mënyrën e raportimit dhe kodimit të sëmundjeve, ndërsa rritja e rasteve të infarktit thekson nevojën për forcim të parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm.

Sëmundjet malinje, sipas IKSHPK-së, vazhdojnë të mbeten një problem i rëndësishëm për shëndetin publik, pavarësisht një rënieje të rasteve të reja në vitin 2024. Në vitin 2023 janë regjistruar 4,165 raste, ndërsa në vitin 2024 numri ka rënë në 3,644 raste, duke shënuar një ulje prej rreth 12.5 për qind. Shpërndarja sipas gjinisë mbetet pothuajse e barabartë, me një përqindje pak më të lartë të rasteve te femrat në vitin 2024.

Kanceri i gjirit mbetet ndër më të shpeshtit te femrat, ndërsa te meshkujt dominojnë kanceri i lëkurës dhe ai kolorektal, sipas të dhënave të IKSHPK-së./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale