Kuka: Ofertat për Majlindën vazhdojnë, por ajo mbetet besnike Kosovës

18:57 | 24 Mars 2026
E.G

Trajneri i mirënjohur i xhudos kosovare, Driton Kuka, ka bërë të ditur se kampionia olimpike Majlinda Kelmendi vazhdon të jetë e kërkuar nga shtete të tjera, por ka vendosur të vazhdojë rrugën e saj në Kosovë.

Kuka ka folur të martën në Pejë, ku RTK tashmë e ka hapur zyrën rajonale.

“Oferta ka edhe tash. Një shtet që ka shumë naftë, atje ku po bëhet lufta, ka bërë ofertë për Majlindën para dy-tre muajve, por Majlinda është e vendosur të punojë këtu. Po i pëlqen puna e trajneres dhe dëshiron ta ndjekë rrugën e ndërtimit të fëmijëve, që është një ndjenjë e jashtëzakonshme. E duam vendin tonë dhe kjo është arsyeja që gjithmonë kemi dashur të qëndrojmë në Kosovë”, ka deklaruar Kuka.

Ai ka folur edhe për kulmin e karrierës së tij, duke theksuar sukseset olimpike të ekipit kosovar. “Kulminacionin e karrierës sime i konsideroj Olimpiadat 2016 dhe 2021. Pesëshja e Lojërave Olimpike në Tokio, edhe sikur t’i sillte pesë medalje të arta, nuk do të ishte për t’u habitur, sepse ishte një ekip jashtëzakonisht i mirë. Majlinda e ka nisur, pastaj Distria, Nora, Akili, Loriana, Laura… Ne i kemi treguar botës se me punë dhe seriozitet mund të përballemi edhe me superfuqitë më të mëdha botërore”, është shprehur ai.

Kuka e ka përgëzuar RTK-në për hapjen e zyrës.

“Është shumë mirë që ka ardhur Zyra e RTK-së Pejë, sepse shpesh kur kemi ftesa për të shkuar në Prishtinë, jo që nuk kemi dëshirë, por koha është pjesa më e vështirë. Tash e kemi më afër”, ka thënë Kuka.