Amir Rrahmani flet për Napolin: Shtëpia ime e parë nuk është më në Kosovë, por këtu

08:33 | 16 Maj 2026
E.K

Mbrojtësi i Kosovës dhe i Napolit, Amir Rrahmani, ka deklaruar se është përshtatur shumë në Itali, duke e cilësuar klubin napolitan si “shtëpi e parë” për të.

Ai ka dhënë një intervistë të gjatë për Radio CRC, transmetuesin partner të klubit, ku ka folur për sezonin aktual dhe objektivat e ardhshme.

“Pas kaq shumë vitesh në Napoli, mund të them se shtëpia ime e parë nuk është më në Kosovë, por këtu”

“300 paraqitje për Napolin? Sa më shumë t’i bëj, aq më mirë, si për klubin ashtu edhe për mua, sepse do të thotë se jam i aftë”.

Mbrojtësi theksoi rëndësinë e ndeshjes ndaj Pisës, duke e cilësuar vendimtare për objektivin e Ligës së Kampionëve: “Ndeshja me Pisën është shumë e rëndësishme. E dimë që na duhen tri pikë për ta siguruar Ligën e Kampionëve. Gol? Shpresoj ta shënoj në këtë vikend”.

Sa i përket kundërshtarëve më të fortë, Rrahmani u shpreh: “Kundërshtarët më të fortë? Mes shokëve të skuadrës do të thosha Giovane ose Alisson Santos. Sa i përket kundërshtarëve, kemi luajtur ndaj shumë lojtarëve të fortë gjatë këtyre viteve, madje edhe në Ligën e Kampionëve – nuk mund të veçoj vetëm një”.

Duke folur për ecurinë e fundit të Napolit, ai tha se ndeshjet kanë qenë të vështira: “Luajtëm kundër Comos dhe Bolognës, që nuk janë skuadra të lehta. Por shumë varet edhe nga fokusi dhe përgatitja jonë. Kur kundërshtarët luajnë me mendje të lirë dhe pa objektiva, mund të të hapin më shumë telashe”.

Rrahmani vlerësoi edhe sezonin e tij personal: “Përveç dëmtimeve, mendoj se ka qenë pozitiv. Në përgjithësi ka qenë një sezon shumë i vështirë”.

Ai gjithashtu foli për raportin me tifozët: “Tifozët e vërtetë janë gjithmonë pranë nesh, pavarësisht rezultateve pozitive apo negative”, deklaroi ai.