1 milion euro tentohen të futen në Kosovë, gjykata liron 3 personat e dyshuar – mister mbetet destinacioni i parave

15:01 | 2 Mars 2026
E.G

Rreth 1 milion euro të padeklaruara janë zbuluar më 24 shkurt 2026 në pikëkalimin kufitar në Merdarë, gjatë kontrollit të një furgoni të tipit “Sprinter” me targa shqiptare që po hynte nga Serbia në Kosovë.

Sipas autoriteteve, 18 pako me para të gatshme ishin të fshehura në një hapësirë të modifikuar brenda automjetit. Tre personat që ndodheshin në furgon kishin deklaruar se nuk kishin asgjë për të raportuar.

Paratë u zbuluan nga zyrtarët e Dogana e Kosovës dhe Policia Kufitare, pas kontrollit me pajisje digjitale me rreze X, të cilat evidentuan dyshime për mjete monetare të fshehura. Skanerët janë donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përdoren në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit.

Kush janë të dyshuarit?

Të ndaluarit janë Aurel Kaziu, pjesëtar i Policisë së Shqipërisë, si dhe Ardit Laska dhe Edmir Ahmagjokaj. Të tre janë shtetas të Shqipërisë.

Kaziu, punonjës i Komisariatit nr. 5 në Tiranë, është pezulluar nga detyra nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit të Shqipërisë. Sipas raportimeve, ai ishte nisur drejt Kosovës pasi kishte përfunduar shërbimin e natës dhe kishte në vijim dy ditë pushimi. Po ashtu, ai nuk kishte njoftuar eprorët për daljen jashtë territorit të Shqipërisë.

Refuzohet paraburgimi

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale të shpëlarjes së parave.

Megjithatë, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën, duke vlerësuar se Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë ekzistimin e “dyshimit të bazuar”.

Në arsyetim thuhet se kërkesa nuk është mbështetur me prova konkrete që do të vërtetonin elementet objektive dhe subjektive të veprës penale. Gjykata thekson se nuk janë dorëzuar prova minimale për këtë fazë procedurale, si procesverbali i kontrollit të automjetit apo dokumentacioni i plotë i konfiskimit.

Në bazë të Kodit të Procedurës Penale, në mungesë të dyshimit të bazuar, gjykata ka qenë e detyruar të urdhërojë lirimin e tyre për t’u mbrojtur në liri.

Ankesë në Apel

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se do të paraqesë ankesë në Gjykata e Apelit kundër vendimit të shkallës së parë.

Destinacioni dhe origjina e parave

Se ku ka qenë destinacioni i kësaj shume të parave mbetet ende e paqartë.

Rasti mbetet në hetim, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me rrjetin e mundshëm apo me ndonjë lidhje të organizuar kriminale përtej tre personave të ndaluar./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme