Në Spitalin e Mitrovicës hiqet me sukses një tumor rreth 4 kilogramë nga një paciente

08:50 | 16 Shkurt 2026
E.G

Një intervenim i ndërlikuar kirurgjik është realizuar me sukses në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, ku mjekët kanë hequr një tumor me peshë rreth katër kilogramë nga një paciente.

Sipas njoftimit të spitalit, pacientja me inicialet Sh.K., e lindur në vitin 1968, është pranuar në repartin e Kirurgjisë me ankesa për dhimbje të forta, fryrje të barkut dhe pengesa serioze në tretje, përfshirë obstipacionin. Pas ekzaminimeve të detajuara imazherike dhe laboratorike, ajo është diagnostikuar me tumor permagna abdominis, si dhe me peritonitis serosa, inflamacion i membranës së barkut me grumbullim lëngu.

Për shkak të rrezikut të lartë dhe përmasave të mëdha të masës tumorale, ekipi mjekësor ka vendosur për ndërhyrje të menjëhershme kirurgjike. Operacioni ka përfshirë heqjen e plotë të tumorit, eksplorimin e zgavrës së barkut, pastrimin dhe vendosjen e drenazhit.

Gjatë operacionit, mjekët kanë arritur të heqin me sukses masën tumorale që peshonte rreth katër kilogramë, duke rikthyer funksionet vitale të pacientes dhe duke eliminuar rrezikun për jetën e saj. Aktualisht, pacientja është në gjendje stabile shëndetësore, ndërsa masa tumorale është dërguar për ekzaminim histopatologjik në Institutin e Patologjisë në QKUK.

Spitali bën të ditur se ndërhyrja është realizuar nga një ekip multidisiplinar, i përbërë nga kirurgët abdominalë Dr. Fatbardh Rexha dhe Dr. Linda Uka-Musa, si dhe anesteziologu Dr. Veton Pllana, me mbështetjen e instrumentareve, teknikëve të anestezionit dhe infermierëve të repartit të Kirurgjisë.

Ky rast konsiderohet i rrallë për shkak të përmasave të tumorit dhe kompleksitetit të ndërhyrjes, ndërsa spitali vlerëson se suksesi i operacionit është rezultat i punës ekipore dhe përkushtimit profesional të stafit shëndetësor. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale