Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot, për të tretën ditë me radhë, do të vazhdojë, me deklarata përmbyllëse, procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në Hagë, pritet të nisë fjala përmbyllëse i ekipit të mbrojtjes së Hashim Thaçit.
Të martën, me fjalën e mbrojtësit të viktimave, Simon Laws, është përmbyllur dita e dytë e deklaratave përmbyllëse në Gjykatën Speciale në Hagë, në rastin ndaj ish-eprorëve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjatë ditës, dje, Prokuroria e Specializuar përfundoi fjalën e saj përmbyllëse, duke pretenduar se Hashim Thaçi kishte mashtruar ndërkombëtarët, duke shtuar se deklaratat e mbrojtjes lidhur me UÇK-në dhe ish-udhëheqësit e saj duhet të vlerësohen me rezervë.
Të hënën prokurorja e specializuar Kimberly West, njoftoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të dënohen me nga 45 vjet burgim apo 180 vjet në total.
Pas Prokurorisë, fjalën përmbyllëse e mbajti përfaqësuesi i viktimave, i cili kërkoi që në vendimin e trupit gjykues të dëgjohet zëri i viktimave pjesëmarrëse.
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.
Ndryshe, ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë mohuar duke i cilësuar si të pabazuara.
Mbrojtja ka hedhur poshtë këto akuza, duke argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur një strukturë të organizuar komanduese dhe se krimet që i atribuohen katër të akuzuarve nuk janë të provuara.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës, ndërsa ky proces ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik në Kosovë dhe më gjerë.
Hoteli i famshëm botëror Burj Al Arab në Dubai do të mbyllet...
SHBA thotë se ka ndaluar një anije mallrash që tentoi t’i sh...
ShBA njofton sanksione të mëtejshme ndaj naftës iraniane
Peja barazon serinë çerekfinale ndaj Yllit
Kapet furgoni me 150 shpezë të futura ilegalisht nga Serbia ...
Rusia paralajmëron BE-në: Rritja e planifikuar e prodhimit t...