PDK-ja kundër rritjes së re të tarifave të energjisë: 21% më shtrenjtë, barrë e papërballueshme për qytetarët

15:45 | 29 Janar 2026
E.K

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shprehur shqetësimin dhe kundërshtimin e saj ndaj paralajmërimeve për një rritje të re të tarifave të energjisë elektrike deri në 21 për qind, duke e cilësuar këtë si një goditje të rëndë për familjet kosovare.

Në reagimin e saj, PDK thekson se në një kohë kur qytetarët po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve, paga të ulëta dhe kosto gjithnjë e më të lartë të jetesës, një rritje e tillë e çmimit të energjisë do ta thellonte edhe më tej krizën sociale dhe ekonomike në vend.

Postimi i plotë:

Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin e saj ndaj paralajmërimeve për një rritje të re të tarifave të energjisë elektrike deri në 21 për qind, duke e konsideruar këtë si goditje të rëndë ndaj familjeve kosovare.

Në një kohë kur qytetarët tanë po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve, paga të ulëta dhe kosto jetese gjithnjë e më të lartë, një rritje e tillë e tarifave të energjisë e thellon edhe më tej krizën sociale dhe ekonomike në vend.

Shumë familje në vendin tonë tashmë janë në kufijtë e mbijetesës financiare, ndërsa ky vendim do të sillte pasiguri shtesë, rritje të varfërisë dhe cenim serioz të mirëqenies së tyre.

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshme çdo përpjekje për ta transferuar barrën e keqmenaxhimit dhe dështimeve në sektorin e energjisë mbi qytetarët tanë. Energjia elektrike është një nevojë bazike dhe trajtimi i saj si e tillë është detyrim institucional.

Për këto arsye, PDK-ja kundërshton fuqishëm çdo propozim për rritje të tarifave të energjisë elektrike dhe u bën thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji, që t’i refuzojnë këto kërkesa dhe të veprojnë në mbrojtje të interesit publik dhe të qytetarëve të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë me angazhimin e saj për zbardhjen e aferave në sektorin e energjisë, për rritjen e llogaridhënies institucionale dhe për mbrojtjen e qytetarëve nga politika që rëndojnë jetën e tyre të përditshme./Arbresh.info