Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpalosur programin qeverisës në Vushtrri, nga ku kërkoi mbështetje për numrin 116 në zgjedhjet e 7 qershorit.
Kurti tha se qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosje do të vazhdojë politikat që, sipas tij, kanë sjellë përmirësime gjatë mandatit të kaluar, veçanërisht në ushtri, mbështetjen për familjet me fëmijë, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik.
“Në mandatin që vjen do ta kemi koncept-dokumentin dhe do ta formojmë xhandarmërinë. Do ta themelojmë kompaninë ajrore të aviacionit të Kosovës, sepse numri i udhëtarëve në aeroport po arrin në 5 milionë. Për çdo vit ekonomisë ia kemi shtuar nga 1 miliard euro. Do të investojmë në prodhimtari. Mbështetje nga shteti me garanci kreditore prej 1 miliard eurosh për prodhimtarinë. Kushdo që prodhon nuk ka nevojë të shkojë në bankë e të lërë në hipotekë tokën e shtëpinë. Shteti garanton për ju”, tha Kurti.
Ai premtoi gjithashtu investime kapitale, duke përfshirë ndërtimin e pesë digave dhe 20 stadiumeve në mbarë vendin, si dhe projekte infrastrukturore që lidhen me hekurudhat.
“Mandati i ardhshëm do të jetë mandati i hekurudhave. Ajo Prishtinë–Durrës, hekurudha nga aeroporti te kryeqyteti, hekurudha Prizren–Ferizaj, Gjilan… Do t’i mbështesim edhe bujqit. Me ministrin Faton Peci, kemi ndarë 300 milionë euro për 120 mijë fermerë; më pas janë bërë 350 milionë euro. Do t’i ndihmojmë që t’i rrisin eksportet dhe t’i zëvendësojnë importet”, theksoi Kurti.
Sipas Kurtit, më 7 qershor, Vetëvendosje do të ketë fitore rekord krahasuar me zgjedhjet e kaluara.
Kastrioti kampion i Kosovës në hendboll pas 15 vitesh
Kurti për çështjen e presidentes: Kosova e kishte, por mungo...
Kurti për zgjedhjet e 7 qershorit: Të panevojshme
Qytetarët marshojnë në Tiranë-Protestojnë kundër ndërtimeve ...
Kolumbia voton nën hijen e dhunës, dy rrugë krejt të kundërt...
Konaté prek tifozët e Liverpoolit me mesazhin e lamtumirës: ...