Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj ka kërkuar hetim institucional për pretendimet mbi dronët dhe transparencë të plotë për fabrikën e municionit, pas raportimeve të mediave lidhur me vërtetësinë pamjeve të publikuara nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore.
Kabashi-Ramaj duke thënë se ky mashtrim publik është problem institucional dhe i sigurisë kombëtare, theksoi se qytetarët duhet ta dinë të vërtetën.
“Gjatë fushatës zgjedhore, ish-kryeministri Kurti promovoi publikisht edhe përmes vizitës atë që u paraqit si fabrikë e prodhimit të dronëve ushtarak në Gjilan, duke lënë të kuptohet se në Kosovë po prodhohen dronë dhe kapacitete të avancuara teknologjike për siguri”, theksoi ajo.
“Prodhimi i dronëve nuk është aktivitet simbolik apo promovues. Ai kërkon infrastrukturë të certifikuar, personel të specializuar inxhinierik, protokolle të sigurisë dhe mbikëqyrje shtetërore, licenca e autorizime të qarta ligjore, testime të shumta teknike dhe operative. Asnjë prej këtyre nuk mund të zëvendësohet me video promocionale apo me montazh vizual. Prodhimi real i dronëve është proces i gjatë, i verifikueshëm dhe i dokumentuar, jo diçka që imitohet për kamera. Kur një kryeministër paraqet si kapacitet shtetëror diçka që nuk ka kaluar këto faza themelore, problemi nuk është vetëm etik. Problemi është institucional dhe i sigurisë kombëtare. Prandaj kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë që të verifikojnë këtë mashtrim publik, keqpërdorim institucional dhe trajtim serioz në deklarimet e rreme në një sektor jetik për shtetin”, kërkoi më tej Kabashi-Ramaj.
Ajo tha se siguria kombëtare e Republikës së Kosovës nuk duhet të jetë material për video promovuese, montazh, shfaqje për kamera e as pronë nuk është pronë e një qeverie apo kryeministri.
“Situatë të ngjashme nga ish-kryeministri kemi pasur edhe me deklaratat për fabrikën e municionit, por asnjë qytetarë nuk ka parë plan të qartë, partneritet industrial të certifikuar, standarde të sigurisë dhe cilësisë, apo afate të besueshme dhe të verifikueshme”, theksoi deputetja e PDK-së.
Kabashi-Ramaj tha se shtyllat e sigurisë së shtetit të Kosovës kanë qenë dhe duhet të mbeten ndërtimi gradual i kapaciteteve reale dhe të verifikuara të mbrojtjes, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, anëtarësimi në NATO dhe bashkëpunimi i thellë me vendet aleate.
“Kapacitetet reale të mbrojtjes përfshijnë forcimin profesional të FSK-së, planin 10 vjeçar për transformim duhet ta përfundojnë mbrojtjen ajrore dhe kundër – dronëve në koordinim me aleatët tanë, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, si dhe qëndrueshmërinë shtetërore ndaj krizave”, shtoi ajo./Arbresh.info
Përfaqësuesit e “Liria ka Emër” priten nga Kryetari Agim Ali...
Gjesti pas publikimit të këngës: Jom mundu me kursy familjen...
E dhimbshme: Nesër varroset Hekuran Hoxha, biznesmeni nga Gj...
“Memories”, Gjesti publikon këngën më emocionale të tij
Ambasada amerikane në Tiranë paralajmëron për pasoja të rënd...
Dogana dhe AKI me aksion kundër barnave të kontrabanduara në...