Romano jep detaje lidhur me mundësinë e vazhdimit të kontratës së Vinit me Real Madridin

17:39 | 21 Janar 2026
D.H

Fabrizio Romano, gazetari i njohur dhe ekspert i merkatos së transferimeve, ka dhënë informacionet më të fundit lidhur me rinovimin e mundshëm të Vinicius Junior me Real Madridin.

Sipas Romanos, dëshira e futbollistit është të vazhdojë te klubi madrilen, ndërsa i njëjti është edhe vullneti i presidentit Florentino Pérez. Megjithatë, pengesa kryesore mbetet marrëveshja financiare mes palëve.

Vinicius synon të bëhet lojtari më i paguar i skuadrës dhe kërkon gjithashtu një bonus rinovimi, diçka që nuk është praktikuar më parë në Real Madrid. Në zyrat e “Santiago Bernabeut” nuk janë të gatshëm t’ia plotësojnë këtë kërkesë, pasi vlerësojnë se do të krijonte një precedent të rrezikshëm për të ardhmen.

Romano raporton se objektivi kryesor i Florentino Pérez është që Vinicius të nënshkruajë kontratë të re dhe të vazhdojë të jetë pjesë e Real Madridit, por ende mungon një marrëveshje përfundimtare.

Burime nga Valdebebas shprehen optimiste dhe theksojnë se të dyja palët do të duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët, pasi ndarja nuk do të ishte në interes të askujt. Megjithatë, theksohet se lojtari duhet të ulë kërkesat e tij.

Florentino Pérez nuk pranon presion

Ajo që Vinicius dhe rrethi i tij duhet ta kenë të qartë është se Florentino Pérez, pavarësisht vlerësimit maksimal për lojtarin, nuk do të pranojë asnjë lloj presioni. Presidenti i Real Madridit e ka treguar këtë edhe më parë në raste si Cristiano Ronaldo dhe Sergio Ramos.

Në këtë situatë, topi është në fushën e Vinicius. Nëse ai pranon kushtet e klubit, rinovimi do të realizohet. Në të kundërt, gjithçka tregon se ai mund të largohet në vitin 2026 ose falas në vitin 2027.

Nëse nuk rinovon, Real Madridi do ta nxjerrë në shitje

Drejtuesit e klubit janë të bindur se do ta vendosin Vinicius në treg nëse ai vazhdon të mos rinovojë. Megjithatë, nuk e shohin as si dramë largimin e tij me parametra zero, pasi investimi për të është amortizuar prej kohësh. Braziliani u transferua te Real Madridi në vitin 2017 për rreth 40 milionë euro.

Një largim falas nuk do të ishte diçka e pazakontë për Florentino Pérez, i cili e ka përdorur shpesh këtë strategji vitet e fundit për të përforcuar skuadrën, mjafton të përmenden transferimet e Kylian Mbappé, David Alaba dhe Antonio Rüdiger.

 

Shpërndaje në rrjete sociale