Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ku ka kujtuar 45 civilët shqiptarë të vrarë nga forcat serbe më 15 janar 1999.
Në fjalën e tij, Kurti tha se mbledhja në Reçak është një obligim ndaj kujtesës dhe së vërtetës, duke theksuar se dhimbja e familjarëve të viktimave mbetet dhimbje e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Jemi mbledhur në Reçak për kujtimin e 45 të vrarëve në vitin 1999. Ne u përkulemi me respekt të thellë dhembjes suaj, sepse dhembja juaj është dhembja jonë. Krimet e kryera në Reçak nuk mund të fshihen nga shteti gjenocidal i Serbisë,” ka deklaruar Kurti.
Ai theksoi se institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë hapa konkretë në përmbushje të obligimit për drejtësi, duke përmendur ndërtimin e kornizës ligjore për gjykimin në mungesë.
Gjatë fjalimit, kryeministri në detyrë përkujtoi edhe komandantin e UÇK-së, Ahmed Kaçiku, i cili, sipas tij, sot do të kishte mbushur 62 vjeç.
Po ashtu, Kurti shprehu mirënjohje të veçantë për ish-ambasadorin dhe shefin e Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, duke theksuar rolin e tij vendimtar në zbardhjen e së vërtetës për masakrën.
“I nderuar ambasador Walker, ju keni një vend të rëndësishëm në zemrat tona. Ju vendosët të vini vetë në Reçak dhe të dëshmoni të vërtetën. Qeveria e Kosovës e ka mbështetur librin tuaj me mirënjohje të thellë dhe ju jemi falënderues,” u shpreh Kurti.
Në fund, ai theksoi se Kosova e sotme është shtet i pavarur dhe i sigurt, me stabilitet institucional dhe ekonomi në rritje, duke nënvizuar se liria e gëzuar sot është fryt i angazhimit të përbashkët.
“Republika e Kosovës riafirmon angazhimin e përhershëm për paqe të qëndrueshme,” përfundoi Kurti./Arbresh.info
Hoteli i famshëm botëror Burj Al Arab në Dubai do të mbyllet...
SHBA thotë se ka ndaluar një anije mallrash që tentoi t’i sh...
ShBA njofton sanksione të mëtejshme ndaj naftës iraniane
Peja barazon serinë çerekfinale ndaj Yllit
Kapet furgoni me 150 shpezë të futura ilegalisht nga Serbia ...
Rusia paralajmëron BE-në: Rritja e planifikuar e prodhimit t...