Rama: Parku eolik i Tropojës për 12 muaj duhet të hyjë në rrjetin e prodhuesve

12:42 | 12 Janar 2026
E.H

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama foli këtë të hënë, 12 janar, për parkun e ri eolik në Tropojë, bashkë me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke theksuar rëndësinë strategjike të këtij projekti për Shqipërinë dhe për procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Rama u shpreh se projekti do të përfundojë brenda një viti dhe se vendi synon të bëhet plotësisht i pavarur energjitikisht. “Më vjen shumë mirë që finalizojmë një përpjekje rreth 2-vjeçare, me kompaninë e mirënjohur amerikane, për gjithë procesin parapërgatitor, që është më i shkurtër se procesi i ndërtimit. Ne shpresojmë që gjithçka të shkojë siç duhet dhe për 12 muaj, ky park i madh i energjisë së erës në Tropojë të hyjë në rrjetin e prodhuesve të energjisë të rinovueshme në vendin tonë”, tha ai.

Kreu i qeverisë nënvizoi se investimi në energji të rinovueshme do të sjellë përfitime të shumta, jo vetëm në sigurimin e energjisë. “Unë kam shumë besim se do përfitojmë edhe besim e vlerë të shtuar në kulturën e punës dhe veprimit, në një sektor strategjik si sektori energjitik. Investimi ndihmon edhe në objektivin tonë strategjik, integrimin në BE”, shtoi Rama.

Ai theksoi sfidat që ka kaluar vendi në se këtë sektor, duke përmendur varësinë nga uji dhe ndikimin e fenomeneve natyrore mbi prodhimin e energjisë. “Ne kemi pasur për shumë kohë një varësi nga shiu dhe kemi trashëguar një sistem, me aq shumë të çara, sa kur na ka munguar shiu, na është dashur të dalim në tregun ndërkombëtar me çmime të kripura, ndërsa kur shiu ka qenë me shumicë, të derdhet, e jo vetëm mos të kthehet në energji, por ndonjëherë shkakton edhe dëme me vlerë të jashtëzakonshme”, tha Rama.

Megjithatë, ai u shpreh optimist për të ardhmen e sektorit dhe për diversifikimin e burimeve të energjisë. “Koha kur Shqipëria duhet të dalë në treg për të blerë energji do të shkojë drejt fundit. Sot ne kemi një portofol, që ka nisur të diversifikohet, pra të balancohet, ku uji do mbetet burimi kryesor i prodhimit, po kur energjia e erës dhe e diellit kanë nisur të zënë vendin e tyre, e kjo masë që deri në 2030 do të jetë 30 përqind dhe me këtë 30 përqindësh ne do kemi plotësisht të garantuar se sistemi ynë do jetë i vetëmjaftueshëm dhe çdo që do prodhojmë përtej normave tona, do e eksportojmë, që do të thotë se do të shesim energji jashtë vendit, për të sjellë më shumë të ardhura për ekonominë, familjet dhe të ardhmen e vendit tonë”, u shpreh ai.

Rama shtoi se garancia e integritetit në sektorin energjitik është e lartë, duke përmendur përvojën me kompaninë amerikane që po realizon projektin. “Sektori energjitik është një sektor, ku ka një garë të fortë mes kompanive ndërkombëtare. Në këtë sektor nuk ka kurrfarë korrupsioni. Nuk ka një kompani të vetme serioze, që ka marrë pjesë në garë për të marrë përsipër projektin, lidhur me integritetin e garës. Kompania na ka bërë përshtypje të veçantë në sensin e përgjegjësisë sociale, në ndjeshmërinë e saj ndaj mjedisit”, u shpreh kryeministri.

Rama shtoi se Shqipëria sot është një vend tjetër, me ndryshime domethënëse. “Sot Shqipëria është në një nivel krejt tjetër. Sot është një Shqipëri krejt tjetër. Nuk e besoj se ndokush do e imagjinonte se Shqipëria do bashkëpunonte me vende tepër të zhvilluara në projekte kaq madhore. Ne prodhojmë energji më shumë se sa ka nevojë tregu i brendshëm. Synojmë të bëhemi vend me pavarësi energjitike”, tha Rama.

Projekti i ri eolik në Tropojë konsiderohet një nga investimet më të rëndësishme të energjisë së rinovueshme në Shqipëri, duke kontribuar në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe në forcimin e qëndrueshmërisë energjitike të vendit./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale