Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sot, u mbajt një mbledhje komemorative në respekt të jetës dhe veprës së akademik Nexhat Dacit, i cili u nda nga jeta të enjten.
Në këtë ceremoni morën pjesë personalitete nga jeta akademike, shoqëroro e politike, familjarë e miq të familjes Daci.
Justina Shiroka-Pula, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pasi përshëndeti të pranishmit në këtë ceremoni, foli për jetën dhe veprën e akademik Dacit.
“Akademik Nexhat Daci prezanton brezin e intelektualëve që përmes dijes dhe autenticitetit akademik kontribuon në krijimin e themeleve të shtetit dhe institucioneve të tij. Kontributi i tij nuk kufizohet vetëm në kufijtë e studimeve dhe kërkimeve shkencore, por shtrihet edhe në krijimin dhe forcimin e institucioneve akademike”, tha pos tjerash Shiroka-Pula.
Për jetën dhe veprën e akademik Nexhat Dacit foli edhe nënkryetari i ASHAK-së, Fejzullah Krasniqi. Ai prezantoi biografinë e gjerë dhe të begatë të akademikut Daci, tha se lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka tronditur thellë komunitetin akademik dhe qytetarët e Kosovës.
Ndërsa sekretari i Seksionit të Shkencave të Natyrës, profesori Enver Hamiti, theksoi rolin e rëndësishëm të akademik Dacit, në shkencë dhe në ndërtimin e institucioneve akademike. Ai me këtë rast lexoi telegramin e Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku Daci përkujtohet për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shkencës dhe kimisë.
Në emër të familjes, e bija e akademikut Daci, Majlinda Daci, falënderoi të pranishmit për nderimin dhe respektin e treguar.
Akademikut, njëherësh, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, të premten i është dhënë lamtumira e fundit me ceremoni shtetërore në Prishtinë, pas ndarjes nga jeta të enjten në moshën 81-vjeçare.
Daci u varros në varrezat e lagjes Arbëri, në praninë e krerëve të shtetit, udhëheqësve institucionalë, akademikëve, familjarëve dhe miqve.
Gjatë ditës, dje, janë mbajtur homazhe në ambientet e Kuvendit dhe është organizuar Akademi Përkujtimore në nder të tij./RTK
Operacion policor në Fier, sekuestrohen dy armë zjarri
Liverpooli ia “mbyll derën” Juventusit për Chies...
Merret vendim në tërë Kosovën, shtyhet procesi mësimor deri ...
KRU “Mitrovica” apelon te konsumatorët që uji të mos përdore...
Parashikimi i motit për nesër, me riga shiu
Lëndohet përsëri Ter Stegen