Media britanike “Which?”: Shqipëria, ylli i ri i turizmit europian

08:15 | 27 Dhjetor 2025
E.K

Mes brigjeve të Mesdheut, ku valët përplasen me historinë dhe kulturën, një vend i vogël po ngjitet me shpejtësi në hartën e destinacioneve më të kërkuara për pushime.

Shqipëria është cilësuar nga ekspertët e turizmit si një nga destinacionet më mahnitëse dhe autentike për vitin 2026, duke u renditur krahas Austrisë, Japonisë, Indisë, Egjiptit, Kosta Rikës dhe Anglisë Veriore.

Sipas artikullit të botuar në përditshmen britanike “Which?”, një udhëtim me anije prej 600 miljesh në Nil, një tur rreth pamjeve romake të Mbretërisë së Bashkuar dhe një prezantim i Shqipërisë ishin ndër turet më të njohura të kompanive më të mira të pushimeve.

Mijëra turistë kanë vlerësuar rreth 100 operatorë turistikë, duke renditur shtatë prej tyre si më të mirët në ofrimin e çdo lloj pushimi – nga turnetë me shoqërues deri te pushimet në plazh.

Shqipëria – më shumë se një plazh i lirë në Mesdhe
Ekspertët theksojnë se vendi ynë ofron shumë më tepër sesa thjesht çmime të përballueshme. Turistët mund të eksplorojnë fshatrat e listuara në UNESCO me arkitekturë të epokës osmane, të shëtisin përgjatë Rivierës Shqiptare, të vizitojnë kështjella dhe kantina vere, si dhe të zbulojnë disa nga vreshtat më të vjetra në botë.

“One Traveller”, operatori turistik britanik i specializuar në pushime solo për udhëtarë të rritur, e ka përshkruar Shqipërinë si një zgjedhje të shkëlqyer për ata që udhëtojnë vetëm. Pa shtesë për një person të vetëm dhe me vlerësim maksimal për shërbimin ndaj klientit, ky operator ofron paketa prej 7 netësh me çmim rreth 2,510 euro për person. Çmimi përfshin fluturimet, akomodimin, shumicën e vakteve, pijeve dhe ekskursioneve. Datat e rekomanduara për nisje janë në maj, qershor, shtator dhe tetor.

Destinacionet e vitit 2026 sipas të përditshmes britanike “Which?” përfshijnë një gamë të gjerë vendesh që ofrojnë përvoja autentike dhe të paharrueshme për turistët.

Në krye të listës renditet Shqipëria, e cila po fitohet gjithnjë e më shumë si një yll i ri i turizmit europian. Pas saj vijnë Austria dhe Japonia, destinacione të njohura për kulturën dhe peizazhet e tyre të veçanta.

Anglia Veriore ofron një udhëtim në historinë romake, ndërsa Vietnami dhe Kamboxhia sjellin aventura ekzotike në Azinë Juglindore. Egjipti mbetet klasik me lundrimet në Nil, India me eksplorimet hekurudhore dhe Kosta Rika me natyrën e saj të pasur e të gjallë.

Ky renditje, e bazuar në vlerësimet e pushuesve dhe ekspertëve të turizmit, shërben si frymëzim për udhëtime të mëdha dhe autentike në vitin 2026./rtsh