A mund të mbahen larg rrjeteve sociale? Australia po e bën, por fëmijët janë një hap përpara

22:37 | 7 Dhjetor 2025
E.H

Australia po bëhet një nga vendet e para në botë që vendos një ndalim kombëtar për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën 16 vjeç, por ekspertët dhe vetë adoleshentët thonë se kjo politikë ka probleme serioze që para se të hyjë në fuqi.

Ligji i ri, i cili detyron platformat të verifikojnë moshën e përdoruesve dhe u kërkon atyre të ndërmarrin “hapa të arsyeshëm” për të ndaluar të miturit, është përshëndetur nga shumë prindër të shqetësuar për ndikimin e rrjeteve sociale te fëmijët. Megjithatë, testet e para tregojnë se masat e verifikimit janë të lehta për t’u mashtruar.

Adoleshentët gjejnë rrugë të shpejta për të kaluar kontrollin

Në një artikull të publikuar nga BBC, thuhet se një 13-vjeçare e quajtur Isobel, si shumë të tjerë, është bërë virale pasi tregoi se si e kaloi verifikimin e moshës në Snapchat brenda pak minutash, duke përdorur një foto të nënës së saj për të kaluar testin e njohjes së fytyrës.

“Mora një foto të mamasë dhe e vendosa përpara kamerës, dhe thjesht më lejoi të kaloj. Më tha: faleminderit që verifikuat moshën tuaj”, pretendon Isobel. “Kam dëgjuar se dikush ka përdorur edhe fytyrën e Beyoncé-s,” shton ajo.
“I shkrova asaj,” tregon adoleshentja duke bërë gjest drejt mamasë së saj “‘Hej mami, e kalova ndalimin e rrjeteve sociale’, dhe ajo më tha: ‘Oh, ti majmune!’.”

Sipas ekspertëve, këto sisteme shpesh gabojnë sidomos me përdorues që janë vetëm dy ose tre vjet larg moshës së synuar.

Përveç fotove të prindërve, adoleshentët kanë gjetur mënyra të tjera për të shmangur ndalimin: përdorimin e VPN-ve, regjistrimin me email të prindërve, ose kalimin në platforma më pak të njohura që nuk përmenden në ligj. Një e treta e prindërve gjithashtu pranojnë se mund t’i ndihmojnë fëmijët t’i anashkalojnë këto kontrolle.

Ekspertët paralajmërojnë: Ndalimi mund të sjellë më shumë dëm se dobi

Ndërsa qeveria australiane e prezanton ndalimin si një masë për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e dëmshme si dhuna, pornografia, dezinformimi dhe bullizmi online, studiuesit dhe organizatat për mbrojtjen e fëmijëve thonë se qasja është tepër e thjeshtëzuar.

Shumë prej tyre paralajmërojnë se pas ndalimit, fëmijët mund të zhvendosen drejt faqeve më të rrezikshme, më pak të moderuara dhe më anonime. Platformat si YouTube dhe TikTok mund të përdoren pa llogari, duke i ekspozuar fëmijët ndaj përmbajtjes së pafiltruar. Ndërkohë, dhomat e bisedave në lojërat online (të cilat janë përjashtuar nga ligji) konsiderohen nga policia si zona me risk të lartë për radikalizim.

Meta, Snapchat dhe kompani të tjera kanë shprehur hapur skepticizëm mbi zbatimin e politikës, duke paralajmëruar se verifikimi i moshës është teknikisht i pasigurt dhe lehtësisht i manipulueshëm. Për më tepër, gjobat e vendosura (deri në 49.5 milionë dollarë) konsiderohen të papërfillshme për korporatat miliardere.

Dy adoleshentë australianë kanë paraqitur tashmë një padi në Gjykatën e Lartë duke e quajtur ligjin “orwellian” dhe “jokushtetues”. Alphabet, kompania mëmë e Google dhe YouTube, dyshohet se po përgatit gjithashtu një sfidë ligjore.

Megjithë kritikat, qeveria e kryeministrit Anthony Albanese insiston se politika synon t’i japë fund dëmit të shkaktuar nga algoritmet dhe varësia digjitale te fëmijët. “Kjo është një përpjekje për të shpëtuar një brez,” deklaroi ministrja e Komunikimeve Anika Wells, duke pranuar se procesi do të jetë “i çrregullt” në fillim.

Qeveria thotë se një paketë e re ligjore, e cila do t’u imponojë kompanive një detyrim ligjor për të parandaluar “dëmin e parashikueshëm”, është tashmë në përgatitje.

A do të funksionojë? Ekspertët janë të ndarë. Disa thonë se nëse ligji ul numrin e fëmijëve në rrjetet sociale me 70-80%, atëherë konsiderohet i suksesshëm. Të tjerë besojnë se efekti do të jetë minimal dhe fëmijët do të kalojnë në platforma më të rrezikshme, duke e bërë situatën më të keqe.

Ndërkohë, shumë prindër thjesht duan të kenë mbështetje ligjore për të thënë: “Është e paligjshme, nuk ta lejoj.”

Megjithatë, një gjë është e qartë: beteja mes qeverisë, platformave të teknologjisë dhe vetë adoleshentëve sapo ka filluar, dhe rezultati mbetet i pasigurt./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale