“Shqipëria është në një nivel tjetër”, Rama për buxhetin 2026: Pagat dhe pensionet do të shënojnë përsëri rritje

11:12 | 7 Dhjetor 2025
E.G

Kryeministri Edi Rama deklaroi se buxheti i vitit të ardhshëm do të sjellë rritje të ndjeshme të të ardhurave për qytetarët, përfshirë paga, pensione dhe mbështetje sociale, ndërsa investimet publike do të prekin “nivele historike”.

Gjatë fjalës së tij në podkastin “Flasim”, Rama u shpreh se Shqipëria “ është në një nivel tjetër”, dhe ky progres do të reflektohet tek të gjithë, si tek punonjësit e sektorit publik ashtu dhe në privat.

Rama nënvizoi gjithashtu se mandati aktual prej 83 deputetësh përbën një “besim të jashtëzakonshëm” që, sipas tij, e detyron qeverinë të vijojë rritjen e punës dhe investimeve për realizimin e objektivit “Shqipëria 2030”.

“Edhe gjatë kësaj jave, kemi qenë në dispozicion të qytetarëve, me parashtresat në detaje, përmes dëgjesave publike, të buxhetit të vitit që është në prag, një vit, që hyn me këmbë të mbarë për shqiptarët sa i përket të ardhurave në radhë të parë, në paga e pensione, por edhe sa i përket investimeve publike, që do të shënojnë përsëri, të gjitha këto së bashku, një rritje historike.

Tanimë, Shqipëria është në një nivel tjetër. Ky është një fakt që do të bëhet çdo vit dhe më i prekshëm në jetën e përditshme të njerëzve tanë, të atyre që jetojnë me punë, qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat, në jetën e përditshme të pensionistëve, gjyshërve dhe gjysheve tona, në jetën e përditshme të atyre më në nevojë, për të cilët mbështetja, mbrojtja sociale, vjen duke u rritur. Sepse ata që na dhanë besimin e jashtëzakonshëm, me 83 mandate, një mbështetje e paprecedentë, për Shqipërinë 2030, jo vetëm meritojnë çdo vit e më shumë, por do të kenë çdo vit e më shumë, pasi barra e borxhit ndaj tyre është e tillë që do të na bëjë të vazhdojmë të rrisim punën tonë përditë e përditë”, tha Rama. /abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme