Themelimi i Gardës për Mbrojtjen e Natyrës, Pacolli: Një nga vendimet më të nevojshme dhe më të mira që ka marrë Qeveria Kurti

15:58 | 22 Prill 2026
E.G

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë Kurti për themelimin e Gardës për Mbrojtjen e Natyrës, duke e cilësuar atë si një nga vendimet më të nevojshme dhe më të mira që ka marrë kjo qeveri.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli theksoi se kjo nismë përfaqëson një aleancë të rëndësishme ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit në Kosovë.

Ai vlerësoi se vendi ka shumë nevojë për më shumë kujdes ndaj natyrës, duke përfshirë pastrimin e lumenjve, rritjen e nivelit të pastërtisë dhe ruajtjen e maleve dhe vegjetacionit.

Sipas tij, raporti i shoqërisë me natyrën është tregues i dinjitetit kolektiv, duke shtuar se qytetarët janë “vërtet të denjë vetëm atëherë kur sillen me dinjitet edhe ndaj natyrës”.

Në fund, Pacolli bëri thirrje që kjo iniciativë të mirëpritet dhe të mbështetet gjerësisht, duke e konsideruar si një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së pasurisë natyrore të Kosovës.

“Një nga vendimet më të nevojshme dhe më të mira që ka marrë Qeveria Kurti është themelimi i Gardës për Mbrojtjen e Natyrës, si një aleancë me qytetarët për mbrojtjen e mjedisit tonë. Kosova ka shumë nevojë për mbrojtjen e natyrës, për më shumë pastërti, për pastrimin e lumenjve, si dhe për ruajtjen e maleve dhe vegjetacionit.”, ka shkruar ai.

“Ne jemi vërtet të denjë vetëm atëherë kur sillemi me dinjitet edhe ndaj natyrës, këtij thesari që na e ka dhuruar Perëndia. Prandaj, duhet ta mirëpresim dhe ta mbështesim këtë nismë!”, shtoi Pacolli./Arbresh.info