Policia e Kosovës njofton se ka zbuluar një veprimtari të dyshuar kriminale që lidhet me falsifikimin e dokumenteve të pronave shtetërore.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet kanë zgjatur disa muaj dhe kanë zbuluar se i dyshuari, në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte falsifikuar dokumente që më pas janë përdorur në procedura për bartje dhe legalizim të pronave nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), transmeton Arbresh.info.
Qëllimi, sipas hetimeve, ishte ndryshimi i pronësisë dhe tjetërsimi i pronave shtetërore në pronësi private.
Pas tjetërsimit, pronat janë shitur duke mashtruar blerësit dhe duke përfituar shuma të mëdha financiare, të cilat vlerësohen në miliona euro.
“Në zbatim të Urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, më datë 01.11.2025, në dy rajone të vendit, policia ka realizuar kontrolle në një shtëpi, tri banesa dhe dy garazhe që dyshohej se ishin nën mbikëqyrje të të dyshuarit. Gjatë operacionit janë sekuestruar:
-dokumente që lidhen me rastin (kontrata shitblerjeje, regjistra të parcelave, dosje pronash në gjuhën serbe, dokumente të paplotësuara të ish-RFJ-së);
-pajisje të përdorura për falsifikim (pesë makina shkrimi të vjetra dhe një pajisje “Paper Trimmer”);
-një revole e tipit Zaragio me 103 fishekë;
-një telefon iPhone 17 Pro, një orë dore Rolex dhe një zinxhir dore Rolex”, thuhet në njoftim.
Bazuar në provat e siguruara, ndaj të dyshuarit ekziston dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e këtyre veprave penale: ‘Falsifikim i Dokumenteve’, ‘Legalizim i Përmbajtjes së Rreme’, ‘Mashtrimi’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’.
“I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit dhe me aktvendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm. Policia e Kosovës në bashkëpunim me organet e drejtësisë mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve ekonomike, korrupsionit dhe çdo forme të keqpërdorimit të pronës publike, duke garantuar ligjshmëri, transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës” thuhet më tej në njoftim./Arbresh.info
LEXO EDHE:
Arrestohet në Prishtinë një person për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim me prona të AKP-së

Rreth 64 mijë aplikime nga diaspora për votimet e 28 dhjetor...
SHBA i cakton afat 2027-ën Europës që ta marrë drejtimin e m...
Shpërthejnë luftime vdekjeprurëse në kufirin midis Pakistani...
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi: Nëse kualifikohemi, ky do t...
Zgjedhjet e 28 dhjetorit, sot afati i fundit për ta ndërruar...
Moti në Shqipëri