SHBA-të rrisin presionin ndaj Kremlinit, vendosin sanksione ndaj dy kompanive të naftës

07:28 | 23 Tetor 2025
E.H

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Rosneft dhe Lukoil, dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi, në një përpjekje për të ulur të ardhurat që financojnë luftën e Moskës kundër Ukrainës. Ky është raundi i parë i sanksioneve ndaj Rusisë që kur presidenti amerikan Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar të këtij viti.

Sipas deklaratës së sekretarit të Thesarit amerikan, Scott Bessent, sanksionet synojnë “t’i japin fund një lufte “të pakuptimtë” dhe të detyrojnë Kremlinin të pranojë një armëpushim.

“Tani është koha për të ndaluar vrasjet dhe për një armëpushim të menjëhershëm. Për shkak të refuzimit të Presidentit Putin për t’i dhënë fund luftës, Thesari po vendos sanksione për dy kompanitë më të mëdha të naftës që financojnë makinën e luftës së Kremlinit”, tha Bessent.

Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve të kompanive dhe ndalimin e çdo transaksioni me entitete amerikane. Bessent paralajmëroi gjithashtu se SHBA është e gatshme të ndërmarrë “masa të mëtejshme” nëse Rusia nuk ndryshon kursin.

Masa e Uashingtonit vjen pak ditë pasi Britania vendosi gjithashtu sanksione ndaj Rosneft dhe Lukoil. Bashkimi Evropian nga ana e tij ka sanksionuar Rosneft, por jo Lukoil, për shkak të përjashtimeve që u lejojnë Hungarisë dhe Sllovakisë të vazhdojnë blerjet e naftës ruse.

Presidenti Trump konfirmoi gjithashtu se kishte anuluar një samit të planifikuar me Vladimir Putinin, duke sinjalizuar një ftohje të re në marrëdhëniet SHBA–Rusi.

“Nuk më dukej se do të arrinim aty ku duhet të arrijmë, kështu që e anulova,” tha Trump nga Zyra Ovale, pas një takimi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përshëndeti vendimin amerikan duke thënë se është “një sinjal i qartë i unitetit transatlantik kundër agresionit rus”. Ajo konfirmoi se BE-ja po përgatit paketën e 19-të të sanksioneve, e cila përfshin ndalimin e importeve të gazit natyror të lëngshëm rus dhe goditjen e “flotës në hije” të anijeve që transportojnë naftë ruse.

Sanksionet e reja pritet të kufizojnë gjithashtu lëvizjen e diplomatëve rusë në zonën Shengen dhe të ashpërsojnë ndalimin e marrëveshjeve financiare me Rosneft dhe Gazprom Neft./rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme