Lufta në Iran, Trump: Do të doja të takohesha me Mojtaba Khamenei

08:34 | 4 Qershor 2026
E.K

Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se SHBA-të po mbajnë marrëdhënie funksionale me udhëheqjen iraniane dhe se një takim i mundshëm me Ajatollahun mund të ndodhë në të ardhmen.

Mojtaba, 56 vjeç, nuk është parë në publik që kur filloi lufta më 28 shkurt me sulmet ajrore të papritura SHBA-Izrael që thuhet se e plagosën atë dhe vranë babanë e tij , të ndjerin udhëheqës suprem Ali Khamenei, dhe anëtarë të tjerë të familjes së tij.

“Ai është i përfshirë, absolutisht. Po, mendoj se ata kanë shumë respekt për të”, tha Trump për Khamenein e ri, në një intervistë për “Pod Force One”, shkruan The New York Post.

“Nuk kam pasur privilegjin ta takoj… Nëse i besoni historive, atij i mungojnë shumë pjesë të ndryshme”, i tha Trump gazetares së The Post, Miranda Devine.

I pyetur për një takim të mundshëm, Trump i tha Devine: “Po, do të doja ta takoja. Do të doja t’i takoja të gjithë. Do të doja ta takoja dhe ndoshta do të takohemi në një moment, varësisht se si do të shkojë gjithçka.”

Lideri i ri iranian është Ajatollah Mojtaba Khamenei, i njohur si djali i liderit të ndjerë iranian Ali Khamenei dhe një nga figurat më me ndikim brenda strukturave të pushtetit në Iran.

Khamenei është një klerik dhe politikan iranian që prej vitesh ka pasur rol të rëndësishëm prapa skenave në aparatin shtetëror.

Ai është i lidhur ngushtë me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC) dhe strukturat e sigurisë, duke u konsideruar si një ndër figurat që ka ndikuar në vendimmarrjet strategjike të vendit, pavarësisht mungesës së një profili të lartë publik.