Mijëra palestinezë po kthehen në shtëpitë e tyre në veri të Gazës

Foto: Reuters

12:29 | 11 Tetor 2025
Q L

Mijëra palestinezë kanë filluar ecjen e gjatë nga jugu i Gazës drejt Qytetit të Gazës, pasi armëpushimi hyri në fuqi në enklavë të premten, edhe pse zona është shndërruar në rrënoja gjatë dy viteve të fundit ku nuk ka infrastrukturë, energji elektrike dhe ujë të rrjedhshëm.

Mijëra palestinezë që po rikthehen ne Qytetin e Gazës e gjetën qytetin e tyre të shtrirë në rrënoja. Pothuajse e gjithë popullsia e Gazës veriore ishte zhvendosur që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe zona është shndërruar në rrënoja gjatë dy viteve të fundit ku nuk ka kushte bazike për jetesë me infrastrukturë të shkatërruar pa energji elektrike dhe ujë.

Një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes Izraelite tha se njerëzve u lejohej të lëviznin nga jugu në veri nëpërmjet rrugës bregdetare Al-Rashid dhe rrugës Salah al-Din në qendër të Rripit të Gazës.

Ndërsa Izraeli i detyroi shumicën e banorëve të Gazës veriore të largoheshin nga zona në fillim të luftës, ai lejoi për një kohë të shkurtër njerëzit të ktheheshin në disa pjesë gjatë armëpushimit të fundit në janar.

Por ky kthim në shtëpi ishte jetëshkurtër për shumicën, pasi Izraeli urdhëroi përsëri një evakuim të plotë të Qytetit të Gazës në fillim të shtatorit, përpara një pushtimi tokësor në qytet.

Forca Izraelite ka thënë në atë kohë se 640 mijë njerëz ishin larguar nga qyteti pas urdhrit të evakuimit. Ky numër përfaqësonte rreth 90% të popullsisë së Qytetit të Gazës para luftës.

Situata në Qytetin e Gazës ishte kritike edhe para asaj ofensive tokësore, pa spitale plotësisht funksionale dhe me pak vende për strehim.

Të premten, ekipet mjekësore nga spitali Al Rantisi në Qytetin e Gazës u kthyen në objekt për ta gjetur atë plotësisht të shkatërruar. Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore, një iniciativë e mbështetur nga Kombet e Bashkuara, tha se uria e kaploi Qytetin e Gazës në gusht dhe që atëherë është përhapur në pjesën tjetër të Rripit.

Ushtria izraelite tha të premten se një armëpushim ishte tani në fuqi në Gaza, me forcat që tërhiqeshin në përputhje me planin që u miratua nga qeveria izraelite.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, një periudhë 72-orëshe për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi filloi të premten. Gati 2,000 të burgosur dhe të paraburgosur palestinezë në Izrael do të lirohen gjithashtu si pjesë e marrëveshjes.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme