Agjencia Evropiane e Barnave hedh poshtë lidhjen midis paracetamolit dhe autizmit

07:19 | 28 Shtator 2025
E.G

Të hënën, Shtëpia e Bardhë deklaroi se kishte identifikuar një lidhje midis përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe autizmit tek fëmijët.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkoi më tej, duke pretenduar se Tylenol “nuk është i mirë” dhe se gratë shtatzëna duhet të “luftojnë me të gjitha forcat” për të shmangur marrjen e tij. Ai e kishte përhapur lajmin gjatë fundjavës, duke thënë “se gjetën një përgjigje për autizmin”.

Agjencia Evropiane e Barnave, EMA deklaroi se nuk ka prova që mbështesin këto pretendime.

“Nuk ka prova të reja që do të kërkonin ndryshime në rekomandimet aktuale të BE-së për përdorim”, tha një zëdhënës i agjencisë për Euronews.com, transmeton Klankosova.tv

Në vitin 2019, Agjencia shqyrtoi studimet mbi zhvillimin neurologjik të fëmijëve të ekspozuar ndaj paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe arriti në përfundimin se gjetjet ishin jobindëse, pa prova të një lidhjeje me çrregullimet neurologjike.

EMA tani deklaron se të dhëna të gjera nga gratë shtatzëna që përdorën paracetamol gjatë shtatzënisë nuk tregojnë rrezik në rritje të keqformimeve në fetusin në zhvillim ose tek të porsalindurit – informacioni është përfshirë tashmë në etiketimin e produktit në BE.

Studiuesit besojnë gjerësisht se autizmi shkaktohet nga një kombinim faktorësh gjenetikë dhe mjedisorë, duke përfshirë moshën e avancuar të prindërve, ekspozimin prenatal ndaj ndotjes së ajrit dhe nivelet e ulëta të oksigjenit rreth kohës së lindjes.

Të ngjashme